Është i Vetëvendosjes?

Zyrtarë të EULEX-it nuk kanë folur shumë për hetimet që janë duke u bërë rreth vrasjes së ish-anëtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa. Mediet kanë raportuar të mërkurën se deputeti i dyshuar për këtë vrasje është nga radhët e Vetëvendosjes. Por, në partinë e Albin Kurtit, sqarojnë se asnjë deputet i tyre nuk po hetohet për këtë çështje.
Pos që kanë konfirmuar se Prokuroria Speciale e Kosovës është duke hetuar vrasjen e ish-zyrtarit të lartë të LDK-së, Xhemajl Mustafa, zyrtarë të EULEX-it nuk kanë thënë as një fjalë më shumë në lidhje me këtë rast, shkruan “Express”.

Blerim Krasniqi, zëdhënës në Misionin Evropian për Rend dhe Ligj, ka thënë për “Express” se EULEX-i nuk komenton asnjë rast përderisa është duke hetuar.

“Krejt çka mund të them është se Prokuroria Speciale është duke hetuar vrasjen e z. Xhemajl Mustafa”, ka thënë Krasniqi.

Klan Kosova ka raportuar se vrasësi i ish-këshilltarit politik të ish-presidentit Ibrahim Rugova është deputet i Parlamentit të Kosovës.

Përveç deputetit, është sqaruar se për vrasjen e ndodhur në nëntor të vitit 2000, i dyshuar është edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Sipas portalit të lajmeve KosovaOnline, deputeti i dyshuar për vrasjen e Xhemajl Mustafës është nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky ueb-sajt, duke u thirrur në burime anonime, raporton se deputetit po i përgatitet edhe fletarrestimi.

Por, në partinë e Albin Kurtit, sqarojnë se asnjë deputet i tyre nuk po hetohet për këtë çështje. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakPacollit i jepet shansi ta pengojë “privatizimin e keq”
Artikulli vijuesLushnje, sherri për pronësinë, vritet para Gjykatës ish-polici