Dëshmitarja holandeze Bergman kujton gjenocidin në Srebrenicë

Holandezja Monique Bergman në vitin 1995 ishte pjesë e batalionit holandez në Potoçari. Ishte në bazën e batalionit që është dashur ti mbrojë njerëzit e pafajshëm të Srebrenicës, por nuk e bëri. Në detyrë si pjesë e batalionit holandez ishte nga janari deri në korrik të vitit 1995, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ajo çfarë panë ushtarët holandezë ato muaj, sidomos atyre ditëve të korrikut as ata nuk e harrojnë”, tha Bergman e cila së fundmi ka publikuar një fotografi nga Srebrenica me një fëmijë në krahë. Ajo shprehu dëshirën e saj për të gjetur, apo për të mësuar nëse ai është gjallë.

Kjo është një dëshmi se Srebrenica dhe njerëzit që atëherë kishte takuar dhe me të cilët ishte shoqëruar edhe pas më shumë se dy dekada nuk i ka harruar. Në deklaratën për Anadolu Agency (AA) ajo kujton vitet 1995.

“Isha në komandë në Potoçari, kur serbët filluan granatimet dhe kur të gjithë refugjatët erdhën tek ne për të kërkuar strehim. Pashë shumë njerëz të plagosur. Shkatërrim, frikë dhe uri. Në rrethana të tilla, kam kaluar ditët e fundit në Potoçari”, kujton Bergman.

Ajo foli edhe për djalin shurdh-memec, i cili i kishte mbetur në kujtesë dhe të cilin e kërkon edhe pas më shumë se dy dekadash.

“Shumë e doja. Ai vinte çdo herë që shkoja me kamion në furrë në Srebrenicë. Ai më sillte lule për bukë. Kur shkuan të gjithë njerëzit nga Srebrenica, u përpoqa që ta gjejë. Nuk ia dija emrin, sepse ai ishte i shurdhër dhe memec, doja të di nëse ai ka mbijetuar”, thotë Bergman.

Ajo theksoi se ato ditë në Srebrenicë ishin shumë të vështia, sepse ishte e pafuqishme. Bergman tha se ishte ndjenjë e keqe kur mëson se je e pafuqishme dhe e braktisur nga OKB-ja.

“Të shikosh të gjitha këto vuajtje të njerëzve dhe të mos mundesh t’u ndihmosh. Mendja më rrinte tek banorët e Srebrenicës dhe nuk mund të kuptoja pse OKB-ja nuk parandaloi serbët me sulme ajrore”, thotë Bergman.

Në atë kohë ajo në bazë kujdesej për njerëzit e plagosur dhe të sëmurë.

“Mbaja foshnjet në krahët e mi. Shpërndaja atë pak ushqim dhe ujë që kishim. Këto padyshim ishin ditët më të këqija të jetës sime. Ndjehesha e braktisur”, thotë Bergman në intervistën për AA.

Në qendrën përkujtimore në Potoçari më 11 korrik do të falet namazi i xhenazës ndërsa me një ceremoni do të bëhet varrimi i mbetjeve të 127 viktimave, përfshirë edhe 12 të mitur.

Viktima më e re është 14-vjeçari Abdija Memiç. Ai do të varroset së bashku me xhaxhanë e tij Avdurahmanin dhe djalin e tij 16-vjeçar Halilin. Viktima më e moshuar që do të varroset më 11 korrik të këtij viti është Mustafa Haxhoviç. Deri më tani në Potoçari janë varrosur 6.377 viktima.

Artikulli paraprakKuvendi vendos sot për ‘Ditën e Nënë Terezës’
Artikulli vijuesSrebrenica – ndërgjegjja e martirizuar e Europës