Më së paku 24 persona janë vrarë e 30 të tjerë janë plagosur nga një sulm me bomba fuçi në një zonë të Halepit të kontrolluar nga rebelët.
Avionët luftarakë sirianë dhe rusë kanë goditur një grup njerëzish në Bab Nejrab, të mbledhur në një mort për vdekjen e 15 fëmijëve e grave më herët gjatë kësaj jave në një prej sulmeve të shumta.
Një bombë fuçi është hedhur fillimisht gjatë funeralit, e një tjetër u ka marrë jetën atyre që i kishin shpëtuar sulmit të parë e po gjenin strehim ku të mundeshin.
Viktimat e së shtunës e çojnë në 62 numrin e civilëve të vrarë në Halep gjatë ditëve të fundit.
11 fëmijë dhe katër gra, nga e njëjta familje, humbën jetën ditën e enjte teksa po hanin mëngjes. Ata u vranë kur avionët hodhën bomba fuçi mbi shtëpinë e tyre.
Një aktivist i Komiteteve Lokale të Koordinimit i ka thënë Al Jazeera-s se bombardimet vijojnë gjatë 24 orëve pa ndërprerje, e se, pavarësisht çarjes së rrethimit, këto bombardime e kanë kthyer rishtas Halepin në një qytet të rrethuar.
Halepi është aktualisht pika më e nxehtë e konfliktit sirian, ku luftimet vazhdojnë prej javësh. /tesheshi.com/