PDK-ja dhe AAK-ja në një linjë për presidentin

PDK-ja ka vendosur që amendamentet kushtetuese, të cilat ndërlidhen me kompetencat dhe me mënyrën e zgjedhjes së presidentin, t’i qesë për votim në Kuvend, madje edhe nëse nuk e merr mbështetjen e LDK-së. Një marrëveshje do që ta mbërrijë me subjektet parlamentare, dhe pro saj tashmë është deklaruar AAK-ja, një nga partitë në opozitë.

Një burim i gazetës brenda partisë së kryeministrit Hashim Thaçi ka thënë se fuqizimi i amendamenteve kushtetuese mëtohet të shtyhet nëpërmjet një marrëveshjeje të spektrit të gjerë. Ka treguar se PDK-ja ka dy alternativa për sponsoruesin e marrëveshjes. Njëra alternativë është që Thaçi, në cilësinë e kreut të PDK-së, t’u bëjë ftesë krerëve të subjekteve të tjera për takim me synim daljen nga kriza. E dyta është që Jakup Krasniqi, në cilësinë e kryeparlamentarit, të kërkojë takim me krerët e partive parlamentare ose me shefat e grupeve parlamentare, para se të vendoset që amendamentet të nxirren për votim.

“Gjasat janë më të mëdha që z. Krasniqi ta marrë iniciativën, sepse ai është më i pranueshëm për subjektet politike, e po ashtu z. Krasniqi nuk është subjekt i marrëveshjes për presidentin”, ka thënë ky burim i gazetës.

Marrëveshja e arritur para një viti ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa, dhe kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, parashihte ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit – prej zgjedhjes nga Kuvendi, në zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli. Një pikë e kësaj marrëveshjeje që e bëri Atifete Jahjagën presidente parashihte që zgjedhjet e para presidenciale të mbaheshin më së largu gjashtë muaj pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Kur u hartuan amendamentet, një nga to reflektonte në këtë pikë, por u shpall jokushtetues. Thaçi është i vetmi nga nënshkruesit që ka thënë se Jahjaga duhet ta çojë mandatin deri në fund. LDK-ja ka kushtëzuar votimin, madje edhe të reformës për zgjedhje parlamentare, me largimin paraprak të Jahjagës, ndërkaq AKR-ja do vetëm zotimin e saj për t’u dorëhequr sapo të zgjidhet presidenti i ri.

LDK-ja ka kundërshtuar menjëherë mundësinë e përfshirjes në ndonjë proces negocimi të marrëveshjes Thaçi- Mustafa – Pacolli.

LDK-ja nuk e ka mbështetjen e asnjë subjekti politik parlamentar në këtë kërkesë. Madje, as të dy subjekteve opozitare – LVV-së dhe AAK-së.

LVV-ja është kundër ndryshimeve që janë bërë, pasi konsideron që presidenti duhet zgjidhur nga Kuvendi.

Prej një muaji është raportuar në media se AAK-ja do t’i bashkëngjitet në qeverisje Thaçit, pavarësisht që në fillim të mandatit ajo kishte kushtëzuar përfshirjen në koalicion edhe me pjesëmarrjen e LDK-së.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, që është sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, ka vlerësuar se bllokimi i reformës kushtetuese dhe zgjedhore bëhet për shkak të një kryeneçësie politike.koha/kohaislame

Artikulli paraprakMerren vesh: Thaçi – kryetar, Haradinaj – kryeministër
Artikulli vijuesLibi, arrestime për sulmin mbi ambasadën