“Diplomacia e patates”, Lavrov i jep Kerryt dhuratën akullshkrirës

0
187
Pas muajsh të tërë tensionesh diplomatike për krizën ukrainase, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov kërkoi të martën të shkrinte akujt me homologun e tij amerikan, John Kerry duke i dhuruar dy shporta të mbushura me patate dhe domate.
 
Kerry ndodhej të martën në Soçi, pikën e njohur turistike në Detin e Zi, për bisedime të nivelit të lartë me Lavrovin dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në vizitën e tij të parë pas dy vitesh.
 
”Lavrovi e habiti mikun e tij Kerry me një shportë të mbushur me domate të pjekura si edhe me një tjetër të mbushur plot e përplot me patate”, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.
 
“Është një ditë me diell sot në Soçi”, shkruante në Facebook zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zaharova, një referencë e dukshme kjo jo vetëm për qiellin blu, por edhe për mënyrën e bisedimeve ndërmjet disa prej zyrtarëve më të rëndësishëm të botës.
 
Patatet si dhuratë janë një histori e gjatë shakasë mes Lavrovit dhe Kerryt, nëse kemi parasysh se ky i fundit i ka dhënë homologut rus dy patate nga Idaho, kur u takuan në Paris, në janar 2014, për bisedimet për krizën siriane.
 
Shportat me perime kanë edhe një rezonancë tjetër nëse kemi parasysh se Moska ka vendosur embargo ndaj produkteve amerikane dhe evropiane si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të krizës ukrainase.
 
Në Soçi, delegacioni rus i dha kryediplomatit amerikan edhe një T-shirt që përkujtonte Ditën e Fitores mbi nazizmin, 70-vjetorin e së cilës Moska e festoi të shtunën e kaluar me një paradë gjigante.
 
Kerry nga ana e tij i dha Lavrovit një ekstrakt të gazetave ruse që në pikëpamjen e tij ”nuk reflektonin marrëdhëniet e vërteta potenciale të një game të gjerë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që duhej të përmirësoheshin”.
 
Kerry i dhuroi gjithashtu Lavorvit një bllok shënimesh me kapak lëkure në ngjyrë kafe të errët, nga ata që vetë sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit mban gjatë udhëtimeve të tij dhe që e përdor gjatë takimeve.
 
Kerry dhe Lavrov vendosën edhe kurora në Memorialin e Luftës së Dytë Botërore.
 
Shumë njerëz e shohin këtë takim të nivelit të lartë ruso-amerikan si një shenjë që dy armiqtë e Luftës së Ftohtë janë gati për përmirësimin e marrëdhënieve, pas përkeqësimit të tyre pas aneksimit të Krimesë nga Moska.
 
“Një stinë e re po fillon në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, shkruante një nga gazetat më të njohura ruse ”Kommersant”.