Dita e jetuar e çlirimit, gjashtëmbëdhjetë vjet më pas

Tani, gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, thyhen shpatat midis atyre që e jetuan atë ditë dhe të tjerëve që kanë dëgjuar rrëfimet për të, nëse më 12 qershor të vitit 1999 ndodhi çlirimi i Kosovës, apo fundi i vuajtjeve, i luftës dhe i masakrave serbe mbi shqiptarët.

Kujtesa historike rrëfen: Kosova kishte vite që po përgjakej në një luftë të pabarabartë për çlirim nga pushtuesit serbë, rreth pesëmbëdhjetë mijë tashmë ishin vrarë dhe eshtrat e tyre i kishin shpërndarë gjithandej nëpër Serbi për të humbur gjurmët e krimit, rreth një milion shqiptarë të saj ishin ndjekur ose kishin ikur nga trojet e veta për t’u shpëtuar masakrave, shtëpi e prona të tyre ishin shkrumbuar, nëpër male pa strehë, pa bukë e pa kushte më elementare jetese qindra mija të tjerë bridhnin me shpresën se do t’i vijë fundi këtij tmerri, duke pasur mbështetje vetëm forcat e UÇK-së, edhe ato me armatime e ushqime të pamjaftueshme.

Dhe ai fund ndodhi në atë 12 qershor 1999, kur forcat e NATO-s po hynin nëpër ajër e tokë në Kosovë, ndërsa kolona pa fund forcash serbe me armatimet më të përsosura e makineri të rëndë iknin nga vendi i krimit.

Një natë pas Marrëveshjes së Kumanovës, të imponuar nga forca e NATO-s, që forcave serbe ua tregonte rrugën nga duhej të iknin prej Kosovës, Prishtina do të përjetojë tmerrin kur forcat ruse u futën pa paralajmërim në aeroportin e Sllatinës, të pritura me të shtëna nga të gjitha armët që ia zinin frymën Kosovës, nga thirrjet serbe për gjak dhe kundërmimi i rakisë për “vëllezërit shpëtimtarë”. Do t’i ngjajë Natës së Bartolomeut. Shumë shqiptarë u vranë prej serbëve atë natë.

Rusia, siç vëren një njohës i atyre rrethanave, synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore, transmeton Koha.net.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori.

Prishtina dhe qytetet e tjera të Kosovës dukeshin të shkreta atë mëngjes të 12 qershorit, pa njerëz, pa fëmijë.

Kolonat e automjeteve, kamionëve, veturave, traktorëve tani nuk përbëheshin nga shqiptarët, por nga ata që po iknin nga vendi i krimit.

Forcat e NATO-s sipas një plani mirë të projektuar ndiqnin ushtarët që mbanin armët e tre gishtat përpjetë si “fitimtarë” të dorëzuar para forcës perëndimore, ndërsa gjatë ditës se nga dolën njerëz prej shtëpive dhe mbuluan rrugë e sheshe, duke i pritur me këngë e lule forcat që ua sollën çlirimin.

Mbi 47 mijë ushtarë me armë e makineri tjetër të luftës do të vendosen nga ajo ditë nëpër zona të ndryshme të Kosovës. Me ta do të vijë edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara, me kryeadministratorin Sergio De Mello.

Nga ajo kohë u ndërruan disa kryeadministratorë, ndryshoi edhe misioni i UNMIK-ut, për t’i lënë administrimin e përkohshëm misionit evropian, EULEX-it, e më 17 shkurt të vitit 2008 përfaqësuesit e popullit të Kosovës shpallën pavarësinë, deri tash të njohur nga rreth 110 vende të botës, ndër to edhe ato më të fuqishmet – SHBA, Britani, Franca, Gjermania, Italia, Japonia…

Tashmë Kosova ka të gjitha institucionet që një shtet e bëjnë shtet, ani pse me shtërzime e ngërçe që mund të jenë të kuptueshme për fazat nëpër të cilat ka kaluar e do të kalojë vendi.

Të kujtojmë se forcat paqeruajtëse të KFOR-it, deri tash rreth 500 mijë sish, nga shumë vende të botës vazhdojnë të kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe ato njësoj respektohen e vlerësohen prej banorëve të Kosovës si çlirimtarë bashkë me ata të UÇK-së.

Sot, pavarësisht si e kanë formuluar këtë ditë, 12 qershorin, qytetarët e Kosovës e përjetojnë si Ditë të Çlirimit. /koha/

Artikulli paraprakS’ka zgjedhje në Drenicë!
Artikulli vijuesNë Kosovë 10.7% e fëmijëve nga 5-17 vjeç angazhohen në punë