Krasniqi konfirmon formimin e partisë politike

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka pranuar se ka nisur bisedimet për idenë e krijimit të një subjekti të ri politik.

Verën e sivjetme skenës politike të Kosovës do t’i shtohet një subjektet i ri politik. Ish-sekretari i PDK-së, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ekskluzivisht për Rubikon të KTV-së ka pranuar opsionin e krijimit të një partie të re politike.

Me emocion, Krasniqi ka pranuar se nuk ka vend në partinë të cilën vetë e kishte themeluar. Madje, ai thotë se të ardhme në PDK nuk ka askush që dëshiron ndryshime demokratike në Kosovë. Ndërsa, është i bindur se me këtë strukturë partia e Thaçit e ka të vështirë t’i fitojë zgjedhjet.

Ai ka pranuar se ka nisur bisedimet me shumë njerëz, por edhe me të pakënaqurit brenda PDK-së dhe partive të tjera, për idenë e krijimit të një subjekti të ri politik.

Krasniqi thotë se shumë shpejt do të bëjë publik vendimin e tij, pasi këtë e ndjen se ia ka borxh t’ia sqarojë opinionit.

E sa i përket Fatmir Limajt, thotë se me të do të bisedojë për këtë çështje pasi ai të lirohet.

I pari i Kuvendit, i cili pohon se këtë pozitë e mban falë votave të marra në emër të tij, nuk e di nëse do të qëndrojë në krye të legjislativit deri në fund të mandatit të tij kushtetues. Por, shprehet se nëse një gjë të tillë do t’ia kërkonte PDK-ja, atëherë do ta merrte seriozisht dhe do ta analizonte dhe vetëm atëherë do të vendoste se çfarë do të bënte, pasi që nuk pajtohet me strukturat e tashme të këtij subjekti.

Ai thotë se asnjëherë nuk ka menduar për vetën e tij, sepse po të mendonte nuk do të shprehej haptas dhe nuk do të luante rolin e opozitës karshi qeverisjes së Hashim Thaçit.

Krasniqi nuk mendon se do të jetë humbës, “humbës apo fitues, varet se si e shikon… unë jam fitues dhe në këto momente ia vlen të jesh edhe fitues moral”.

Ish-sekretari i PDK-së në “Rubikon” thotë se Kosova ka nevojë për një qeverisje ndryshe nga ajo që është qeverisur deri tani, dhe kjo sipas tij, mund të bëhet vetëm nëpërmes zgjedhjeve të lira. (INA)/kohaislame

Artikulli paraprakErdogan: Të ndalen protestat urgjentisht
Artikulli vijues“Grupi i Llapit” dënohet me 13 vjet burg