Donatori anonim u ndërton shtëpi 2 familjeve

Dy familje të varfra dhe të pastreha së shpejti do të bëhen me kulm mbi kokë, pasi një person, i cili nuk ka dashur të identifikohet, është duke ndërtuar dy shtëpi për to, njërën në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë dhe tjetrën në fshatin Gushafc.
 
Në Drejtorinë e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, kanë thënë se ato familje bëhen me shtëpi falë angazhimit të madh të kësaj drejtorie për të gjetur donatorë. Sipas drejtorit, Mensur Beqiri, është gjetur një donator, i cili dëshiron të mbetet anonim dhe i cili ka shprehur vullnetin që t’i ndërtojë dy shtëpi për raste më të rënda sociale. “Ne, si Drejtori e kemi mbështetur këtë donator me 2 mijë euro”, ka thënë Beqiri, duke mos treguar identitetin e personit që është duke ndërtuar shtëpitë.
 
Përzgjedhjen e familjeve të pastreha dhe raste sociale, të cilat do t’i gëzojnë këto dy shtëpi e ka bërë Drejtoria, pasi që e di më së miri gjendjen e të gjitha familjeve të evidencuara si të pastreha dhe të varfra.
 
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Mitrovicës, njëra familje ka jetuar në Qendrën e Strehimit Kolektiv në fshatin Trepçë, ndërsa familja tjetër ndodhet në Gushafc.  “Familja që ka jetuar në Qendrën e Strehimit Kolektiv ka pasur truallin në lagjen  ‘Ilirida’ dhe aty tani po i ndërtohet shtëpia e re, ndërsa familja tjetër, e cila po ashtu posedon parcelën, ku është duke iu ndërtuar shtëpia, ndodhet në fshatin Gushafc. Kjo familje, përveçse është në gjendje të vështirë ekonomike e sociale, fatkeqësisht anëtarët e saj kanë probleme mendore”, theksoi drejtori Beqiri.
 
Sipas Beqirit, angazhimet e Drejtorisë për t’u dalë në ndihmë të pastrehëve kanë vazhduar edhe më tutje. “Jemi në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur edhe donacione të tjera, në mënyrë që atyre që kanë probleme me strehimin t’u zgjidhet problemi”, ka vijuar ai, teksa ka shtuar se është edhe një person tjetër, Gëzim Konjusha, i cili ka shprehur vullnetin që në bashkëfinancim me Komunën e Mitrovicës ta rindërtojë shtëpinë e një familjeje 9-anëtarëshe në Kçiq.
 
“Fatkeqësisht, edhe kjo familje, përveçse jeton në gjendje të rëndë sociale, nëna dhe tre fëmijë janë të sëmurë nga epilepsia. Pos që ka investuar në ndërtimin e shtëpisë, donatori ka zhvilluar edhe aktivitete tjera bamirëse. Ai ka siguruar mjetet për blerjen e tre krerëve lopë, të cilat do t’u jepen familjeve që janë të varfra e që jetojnë në viset rurale, për çka ne i jemi mirënjohës”, ka thënë drejtori Beqiri.kohaislame
Artikulli paraprakSiri, opozitarët marrin disa pika strategjike të Halepit
Artikulli vijuesBajrami: Do ta zvogëlohet për 30 për qind numri i studentëve në shkencat shoqërore