ShIK-u ka marrë donacione

E ka përfunduar dëshminë e tij Fatmir Xhelili, një nga drejtuesit e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), i cili ka dëshmuar si dëshmitar i mbrojtjes në rastin “Bllaca 2”.

Në cilësinë e “dëshmitarit të privilegjuar”, Xhelili ka dhënë informata të kufizuara, ato të cilat ai i ka konsideruar të lejueshme për t’u bërë publike dhe që nuk zbulojnë sekretet e ShIK-ut. Ai ka thënë se organizata e quajtur ShIK në fillim i ka pasur 30 veta, kurse në vonë ka arritur deri në 90.

Sipas tij, ShIK-u është financuar përmes ndihmave të ndryshme dhe donacioneve, të cilat kanë qenë legale.
Xhelili ka thënë se pjesëtarët e ShIK-ut nuk kanë pasur kartela identifikuese të këtij shërbimi dhe se i ka njohur të gjithë pjesëtarët e këtij shërbimi.

Fillimi i seancës së sotme është karakterizuar me përplasje në mes të prokurores së EULEX-it në këtë rast dhe të mbrojtjes lidhur me statusin e “dëshmitarit të privilegjuar” që ia kishte dhënë trupi gjykues Fatmir Xhelilit në seancën e kaluar.

Prokurorja ka këmbëngulur që ky status t’i hiqet atij, pasi që, sipas saj, dëshmitari Xhelili mund të përgjigjet në të gjitha pyetjes, sepse ai nuk mund të ketë informata sekrete të cilat do ta rrezikonin ndokënd.

Trupi gjykues statusin “dëshmitar i privilegjuar” ia kishte dhënë Fatmir Xhelilit me arsyetimin se ai mund të posedojë informata sekrete të cilat nuk lejohen të bëhen publike.

Në këtë drejtim, prokurorja ka thënë se Xhelili nuk mund të ketë informata sekrete, pasi që në Kosovë që nga 99-a nuk ka pasur ushtri të Kosovës pos KFOR-it kurse ShIK-un e ka cilësuar si organizatë ilegale.

Mbrojtja ka reaguar duke e kundërshtuar prokuroren në cilësimet që ajo ia bëri UÇK-së dhe ShIK-ut, duke ia kujtuar asaj se në konferencën e Rambujesë UÇK-ja është përfaqësuar nga delegacioni legjitim, kurse ShIK-u ka rrjedhë si rezultat i po kësaj konference dhe ka qenë shumë legjitime.

Për t’i prerë gjërat në këtë përplasje, kryetari i trupit gjykues mori pauzë 15 minutash, për t’u kthyer më pas me vendimin e prerë, atë të vazhdimit të statusit të “dëshmitarit të privilegjuar” për Fatmir Xhelilin, duke ia mundësuar atij që të përgjigjet çka të dojë.

Ky vendim i turpit gjykues i hapi rrugë Xhelilit ta vazhdojë dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit.

Prokurorja e ka pyetur Xhelilin se sa persona i ka pasur ShIK-u dhe a janë njohur ata në mes vete?

Xhelili ka thënë se në fillim kanë qenë 30 veta në ShIK, kurse më vonë ky numër ka arritur në 90, duke shtuar se pjesëtarët e ShIK-ut ndoshta kanë mundur të njihen në mes vete.

Prokurorja i është drejtuar Xhelilit duke i thënë se a kanë pasur pjesëtarët e ShIK-ut kartela identifikuese, ai është përgjigjur duke i thënë se nuk kanë pasur kurrë kartela identifikuese, transmeton Kosovapress.

Në këtë drejtim, prokurorja është interesuar të dijë se a janë paguar pjesëtarët e kësaj organizate, për të cilën gjë Xhelili ka thënë se janë paguar në mënyrë të rregullt, duke shtuar se ka pasur edhe pjesëtarë që nuk janë paguar fare, ndër ta edhe vetë Xhelili, me arsyetimin se e kanë konsideruar këtë shërbim në të mirë të vendit.

Duke marrë parasysh se pjesëtarët e ShIK-ut janë paguar, prokurorja është interesuar të dijë se kush e ka financuar këtë organizatë, ndërsa Xhelili është përgjigjur se financimi ka ardhur nga ndihmat dhe donacionet.

“Ka pasur ndihma dhe donacione. Natyrisht se kanë qenë financime legale”, ka thënë shkurt Xhelili.

Prokurorja është interesuar edhe për strukturën organizative të ShIK-ut, ku Xhelili ka thënë se ka qenë shefi i këtij shërbimi, zëvendësshefi, Drejtori i Shërbimit dhe katër Drejtori.

Kurse lidhur me Departamentin e Zbulim Kundër Zbulim (ZKZ), ka thënë se ky shërbim ka qenë ushtarak dhe nuk ka pasur të bëjë asgjë me ShIK-ut, pasi që kjo e fundit ka qenë organizatë civile.

Xhelili, po ashtu, ka folur edhe për rekrutimin e pjesëtarëve në kësaj organizatë, duke thënë se kritere kanë qenë ai moral, inteligjenca, sjelljet e tij dhe po ashtu, sipas Xhelilit, janë marrë edhe informacione nga rrethi i tij se çfarë karakteri ka ai person.

Seanca po vazhdon me Hajredin Ahmeti, dëshmitar i mbrojtjes në këtë rast.kohaislame

Artikulli paraprakThaçi: Emri Hasan Prishtina për UP-në, ide e imja
Artikulli vijuesESHTRAT E ZOGUT DO TË KTHEHEN NË SHQIPËRI