Duka: Nuk ka vend për eufori, kemi edhe një fazë tjetër

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka ndjekur nga afër përgatitjet e Kombëtares në Itali ku djemtë e Gianni De Biasit gjetën një mbështetje të madhe edhe nga shqiptarët atje.

Numri 1 i federatës e pranon se skuadra po kalon një moment pozitiv, por thekson se ekipi duhet të qëndrojë me këmbë në tokë pasi është për t’u luajtur edhe një fazë tjetër. Sipas Dukës, ndeshja më e rëndësishme është ajo e radhës në Danimarkë, duke theksuar se shpreson në një rezultat pozitiv.

“Danimarka është një kundërshtar për t’u respektuar dhe nuk do të thoja as i fortë dhe as i dobët. Nuk duhet të jemi euforikë por as nën presion. Presioni është për ata dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë për të marrë një rezultat pozitiv ku unë përfshij edhe një barazim sepse Danimarka është një kundërshtar direkt për vendin e dytë”.

Presidenti i federatës shton se institucioni që drejton po punon që skuadra të ketë qetësinë maksimale dhe kushtet optimale për të punuar, por duke u rikthyer ta sfida e Kopenhagenit ai kërkon të ulë presionin nga skuadra.

“Nuk e uroj kurrë që të marrim një rezultat negativ në Danimarkë por për ne rruga është e hapur sepse vazhdojmë me Portugalinë, Serbinë, Armeninë dhe deri në sekondat e fundit ne do të jemi pretendentë për të qenë në Francë”.

Duka shton se qënia e tij pranë skuadrës është një lloj mënyre për t’u treguar solidaritetin lojtarëve dhe faktin që ata kanë përherë mbështetjen e federatës. I pyetur nëse ka folur me skuadrën gjatë ditëve të fundit, Duka nënvizon:

“Kam folur me të gjithë skuadrën dhe do të flas përsëri, por do t’u bëj me dije sërish se këtu nuk ka vend për eufori por nuk ka vend as për mbivlerësim të danezëve. Besoj se mbi të gjitha është një ndeshje psikologjike. Na është dukur një mision i pamundur që kur u hodh shorti të mendonim për pozita të tilla ku gjendemi aktualisht. Kjo tregon se ky ekip ka grinte, ka kurajo dhe është dinjitoz për të bërë gjithcka. Nëse do të bëjmë të njëjtat gjëra si deri tani, e shikoj Shqipërinë në Francë 2016″.

Artikulli paraprakQosja: Ky pushtet, të jeni të sigurt, do të përmbyset
Artikulli vijues“Seria e Zezë” e Mercedes-AMG