Dy shkolla në "Dardani" në telashe nga bastorja (Video)

0
156

Në Lagjen “Dardania” në Prishtinë, saktësisht mbi plato, gjendet një bastore sportive, e cila nuk ka as shenjëzim. Për më shumë, ky lokal që shfrytëzohet si bastore ndodhet në afërsi të dy shkollave fillore, “Xhemajl Mustafa” dhe “Dardania”.

Megjithëse ligji e ndalon që bizneset e tilla të jenë në afërsi të shkollave, kjo bastore po vazhdon punën normalisht.

Ligji për Lojërat e Fatit e përcakton se aktivitetet e lojërave të fatit duhen të respektojnë distancën e veprimit që është së paku 500 metra nga objektet edukativo-arsimore.

Ndërkaq, çdo ditë në këtë pjesë të lagjes kalojnë fëmijë, nxënës të këtyre dy shkollave që më së shpeshti shfrytëzojnë këtë pjesë ku edhe ndodhet kjo bastore sportive, për të shkuar në shkollë.

Florim Berisha, punëtor në këtë bastore tha për KALLXO. com se ky biznes është në kuadër të “TOTO Sport”. Ai nuk ka pranuar të tregojë emrin e pronarit të biznesit në fjalë, e as nuk ka dhënë koment se pse bastorja nuk ka shenjëzim.

Berisha thotë se është i vetëdijshëm se është e ndaluar që ajo të jenë në afërsi të shkollave por sipas tij, kur askush nuk i tërheq vërejtjen për një gjë të tillë, ata nuk kanë arsye të mos vazhdojnë punën.

Ai arsyetohet se aty nuk lejohen të hyjnë persona që janë nën moshë 18 vjeçare.

Safet Kamberaj, zëvendës drejtor në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa” thotë se është tepër shqetësuese ekzistimi i këtyre biznese sidomos marrë parasysh fakti se është e ndaluar me ligj që ato të jenë në afërsi të shkollave.

Ai thotë se ka raste kur nxënësit kanë munguar në proces mësimor dhe kanë frekuentuar këto bastore gjatë kohës sa është mbajtur mësimi.

“Fatkeqësisht po. Një numër i nxënësve i frekuentojnë këto lokale. Jo në përmasa të mëdha por ka raste evidente kur nxënësit kanë munguar në proces mësimore sepse kanë frekuentuar edhe këto bastore”, thotë Kamberaj.

Kamberaj thotë se këtë problematikë shkolla e ka adresuar tek Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës.

Kamberaj, që njëherit është edhe kryetar i Bashkësisë Lokale në Lagjen Dardania, thotë se ankesa për këtë problem kanë pranuar edhe nga banorët e lagjes. Ai thotë se këtë çështje e kanë adresuar në Komunë.

“Nga qershori ka pasur ankesa dhe gradualisht shqetësimet kanë qenë të adresuara në Komunë, por një gjë e tillë ende është në funksion. Ato po funksionojnë”.

Një banor i lagjes Dardania, Labinot Dreshaj, ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me këtë problem.

Ai tha se është shumë shqetësuese ekzistimi i një bastore siç është ajo mbi pllato.

Dreshaj, fëmija i të cilit vijon mësimet në shkollën “Xhemajl Mustafa” thotë se si prind ndihet i shqetësuar për fëmijën e tij dhe kërkon që ky biznes të mbyllet menjëherë.

Kjo bastore nuk po paraqet problem vetëm për shkollën “Xhemajl Mustafa”. Edhe nxënësit e shkollës fillore “Dardania” që gjendet në afërsi të saj, çdo ditë kalojnë andej derisa vijnë në shkollë.

Shukrie Gashi, arsimtare në këtë shkollë e sheh si problem shumë serioz një gjë të tillë pasi që, sipas saj, po është e pamundur që nxënësit të mbrohen nga problemet që po u kanosen.

“Kjo është dukuri shumë shqetësuese, bile e pa pranueshme që në afërsi të shkollave të gjenden të tilla si janë bastoret që sjellin gjëra shumë negative, i destabilizojnë fëmijët i orientojnë në gjërat të gabueshme në vend që ata të orientohen te mësimi”, tha arsimtarja Gashi.

Ajo thotë se ka pas raste kur nxënësit kanë frekuentuar bastoret gjatë orarit mësimor duke munguar në klasë. Më shumë raste sipas saj ka pas vitin e kaluar, ndërsa edhe prindërit i kanë ngritur shqetësimet e tyre për këtë çështje.

Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se kanë intervenuar në disa raste të tilla duke mbyllur disa bastore ilegale por nuk ka dhënë përgjigje specifikash për rastin e bastores në Dardani.

Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës tha se në kuadër të aksionit për kontrollimin e objekteve që e ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit, janë mbyllur shumë bastore dhe kazino që ndodhen në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, në afërsi të lokacioneve ku ligji ua ndalon funksionimin.

Ajo pranon se ka pasur raste kur pronarë të bastoreve–kazinove kanë tentuar t’i largojnë shenjat zyrtare më të cilat u është ndaluar kjo veprimtari. Sipas saj, ndaj tyre janë ndërmarrë masa.

Mullafazliu nuk ka dhënë përgjigje se çfarë do të ndodhë me bastoren në lagjen Dardani.

E kontaktuar të mërkurën, Valentina Bytyqi, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se Njësia e Lojërave të Fatit që është në kuadër të këtij institucioni do të veprojë brenda 24 orëve. /tg/kohaislame

“>