E di se jam në rrugë të drejtë
Konvertime December 25th, 2007
“Njeriu. Nocion i vjetër sa Toka, i njohur për secilin prej nesh. Nocion i cili ‘fsheh’ fatin tim, sekretet tuaja, personalitetet e tyre… Njerëzit, ata jemi ne… Po, të gjithë prej nesh… Asnjëri prej nesh nuk është pyetur për ardhjen e tij në këtë botë, sidoqoftë ne jemi tashmë këtu. Secili mund ta pyes veten: Pse jam tash dhe këtu në këtë vend? Përse kam lindur me të vërtetë? Përse? Cili është misioni im?”Kam lindur më 27 shkurt 1989 në një fshat të vogël në Sllovakinë qendrore ku secili e njihte secilin dhe ku të jesh ndryshe është problem… Nëna dhe babai im janë të krishterë. Në fakt, çfarë zgjidhje tjetër mund të kishin ata pasi prindërit r tyre ‘kishin urdhëruar’ zgjidhjen e tyre për ta?! Unë jam pagëzuar gjithashtu sikur secili që jeton këtu.
Në vitin e parë të shkollës fillore prindërit e mi më regjistruan në kursin e edukatës fetare. Kam ditur shumë pak për Zotin atëherë. Më kujtohet shumë mirë takimi që kisha ato ditë me njërën prej tezeve të mia. Ajo nuk kishte fëmijë kështu që më trajtonte mua sikur vajzën e saj. Ajo kalonte shumë kohë me mua. Ajo më dërgonte në kishë dhe në predikimin e çdo të dieleje gjatë pesë viteve. Por unë isha fëmijë dhe prioritetet e mia përqëndroheshin vetëm në lojëra… Aq shumë e doja atë saqë mundohesha ta kënaqja sa më shumë që mundja. Koha kalonte e unë filloja të shkoja më shpesh në kishë. Nuk kam pasur kujtime të mira lidhur me ceremoninë kishtare ‘birmation’ sepse dy ditë më parë e kisha thyer dorën. Ndoshta ky ishte mëkat… Nuk e di… Vërtet, ndoshta kurrë nuk mund ta di…
Sidoqoftë, jam kënaqur gjatë tërë ngjarjes. Ta them të vërtetën, më pëlqente ta luaja rolin e princeshës… të vishja rroba të bukura dhe t’i tregoja ato… në fakt jo ndonjë gjë e mirë… E di…. Nuk kam asgjë për ta kujtuar atë ditë. Fotografitë kishin humbur nuk e di se ku. Kam ndjekur shërbimet e kishës rregullisht deri në klasën e shtatë të shkollës fillore. Më shumë ose më pak nga fuqia e zakonit sesa nga nevoja. Nuk më pëlqente predikimi, plakat përgojonin secilin që mundeshin, djemtë pinin duhan dhe nxitonin për në pijetore. Nuk kishte asgjë që mund të bëja. Unë vetëm e konsideroja atë si një pjesë të hipokrizisë ditore. Kur u rrita, gjeta interesime të tjera. Dëshiroja t’i provoja pemët e ndaluara, gjithashtu.
Marrëdhënia me babain tim ishte larg prej ideales. Kurrë nuk ka qenë. Në fakt nuk do të jetë kurrë. Ne grindeshim shumë shpesh. Nuk mund të jetë ndryshe edhe nëse provoj më të mirën. Këto ditët e lotëve të paarsyeshëm dhe momentet e zhgënjimeve të hidhura kanë lënë gjurmë në personalitetin tim. Dëshiroja të hakmirresha. I dhashë atij arsye të më bërtiste. Në fund e dija arsyen: ai kishte të drejtë (të më shante-bërtiste) dhe kjo nuk më lëndonte më… Rrija natën deri vonë me njerëz që kurrë nuk kishin gjetur perspektivë në jetën e tyre. Drogë, alkool, cigare… Tani kjo e tëra qëndron prapa meje, por këto ditë ndihesha e humbur në mëkate, në duart e djallit.
Motra ime gjashtë vjet më e vjetër u mundua të më ndihmonte. Por ajo u shpërngul në qytetin e Bratisllavës ku gjeti punë dhe unë mbeta vetëm. Dhe, natyrisht, ju mund të mendoni se nëna ime ishte ende aty për mua, por siç ndodh shpesh këtu, nëna kaloi në anën e babait. Kështu, kur erdhi koha për ta zgjedhur shkollën e mesme kisha vendosur: dëshiroja të shkoja në shkollën me konvikt, larg nga problemet e shtëpisë. Ndoshta, frika të shpëton prej problemeve, por ato ditë e pashë atë si zgjidhjen e vetme dhe korrekte. Nuk dëshiroja të vuaja më për marrëdhëniet e mia me babain.
Dhe këtu, fillon rruga ime e re …
Shkolla ishte në qytetin Nitra. Isha larguar nga njerëzit që i njihja. U ndjeva më e qetë, e kënaqur dhe e ekuilibruar. Isha e frikësuar prej fund-javëve, mendoja…Ideja se duhet t’i kaloja dy ditë në shtëpi, më tmerronte. Shikoja përpara dhe ende kërkoja ditën kur do të isha ‘e rritur’ dhe t’i leja të gjitha këto…
Një fundjavë të janarit të vitit 2005, shkova ta vizitoj motrën time në Bratisllavë. Ne shkuam në një restorant afër ku një shok i saj -musliman- na u bashkua. Ai fitoi vëmendjen time me bisedën e tij rreth Islamit. Ai kishte përgjigje për çdo pyetje që i bëja. Nuk kam mundur të flej atë natë. Dëshiroja të dija më tepër. Musliman? Në çka beson ai? Pse ai ishte i ndryshëm nga unë? Pse është kështu? Çdoherë kur kanalet televizive informonin për ‘ta’ dëgjoja vërejtje të cilat babai im i përdorte në adresë të tyre. I injorova këto vërejtje se dëshiroja të kisha mendimin tim për njerëzit duke u bazuar në eksperiencën time me ta. Babai im nuk njihte asnjë kështu që ai nuk mund të kuptonte. Ose më mirë të them ai e njihte dikë tashmë por nuk ishte realizuar… Është ironike. Edhepse jam munduar ta zvogëloj atë zbrazëti të madhe ne mes nesh nuk kam pasur sukses aq shumë.
Ditën tjetër e takova shokun e motrës përsëri dhe tema e bisedës sonë ishte e qartë! Mësova gjëra të reja dhe interesante. Ai m’i huazoi librat të cilat i lexova branda javës në konvikt. Thellë brenda vetes ndjeva shqetësim, nuk dija se si të reagoja, të gëzohesha apo të qaja. E tëra që kisha besuar deri atëherë papritmas u bë e pashpjegueshme në sytë e mi. Mendime të ndryshme e zunë mendjen time. Njerëzit janë kureshtarë dhe unë s’e kisha pasur ende atë ndjenjë. E pyeta atë për përkthimin sllovak të Kur’anit. I jam falënderuese atij për gatishmërinë dhe durimin.
Ishte 27 janari i vitit 2005, kur e mbaja Kur’anin për herë të parë. E hapa atë dhe i përqëndrova sytë në fjalinë që nuk do ta harroj kurrë:
“Pra më lë Mua dhe ata që e mohojnë këtë Kur’an. Ne do t’i afrojmë ata dalëngadalë te dënimi prej nga nuk presin.” (68: 44)
Isha e tronditur.
Isha e frikësuar më shumë se kurrë më parë. U ndjeva ndryshe. I takoja diçkaje. Më vinte keq vetëm se nuk kisha askë me të cilin do t’i ndaja ndjenjat. Dëshiroja ta fshija nga mendja ime gjithë atë që e kisha besuar më parë. Nuk ishte e lehtë. Disa ende e besojnë atë por unë nuk e besoj më. E dija se nuk ishte më e nevojshme. Ajo çka besoj tash, është në zemrën time, jo në mendjen time… E di se kjo është pikërisht ajo që e kam kërkuar gjatë gjithë jetës sime.
Gjatë kësaj kohe të shkurtër të jetës sime kam bërë shumë marrëzira dhe nuk kam mundur t’u bëj ballë veseve të kësaj bote. Por askush s’është i përsosur dhe unë nuk jam përjashtim. Më e rëndësishmja është të pranosh mëkatet e tua, dështimet dhe t’i rregullosh ato… Unë sinqerisht pendohem për të gjitha veprat e mia të këqija. Nuk mendoj për të kaluarën time dhe shpresoj për një të ardhme më të mirë. Thellë në zemrën time, gjithmonë kam besuar se gjithherë ka diçka më të rëndësishme. E gjeta atë gjënë e rëndësishme. Kam filluar të besoj në Një dhe të Vetmin Zot! Çdo mbrëmje e përsëris të njëjtën fjali: ESH-HEDU EN LA I LAHE IL-LALL-LLAHVE ESH-HEDU ENNE MUHAMEDEN ABDUHU VE RESULUHU(Dëshmoj se nuk ka asnjë të adhuruar me të drejtë, përveç ALLAHUT dhe dëshmoj se MUHAMMEDI është rob dhe i Dërguar i Tij.)
Është mirë t’i shohësh ngjyrat e vërteta të jetës.
Pushimet verore i kalova në Bratisllavë. Kam takuar një muslimane e cila më dha shumë. Ne i kaluam tri ditë në Republikën Çeke në konferencën verore të muslimanëve. Ajo ishte eksperiencë e paharrueshme. Eksperiencë e cila ndikoi dhe më ndryshoi mua. Për të mirë… Ajo grua ishte dhe ende është drita ime e shndritshme. Ajo nuk ishte e vetmja që qëndronte me mua në momentet më të rëndësishme të jetës sime. Me plot bindje rreth korrektësisë së vendimit tim e pranova Islamin si fe timen. Më në fund!
Pas tetë muajsh të rrugës përpjetë, e deklarova Shehadetin (deklaratën e besimit) plot kënaqësi, qetësi dhe kuptim. Ajo ndjenjë e rilindjes… befasuese…i lëvizi krahët e kësaj fluture të mrekullueshme dhe deri tani të lëkundur në zemrën time që përfundimisht ka liri. Një rast për të jetuar një jetë më të mirë dhe kuptimplotë!
Ia dëshiroj këtë secilit. Ndihem njësoj saherë që falem, përsëri dhe përsëri kur e lus Zotin për mëshirë…
Janë vetëm disa njerëz që dinë për vendimin tim dhe kjo është më mirë. Prindërit e mi nuk mund ta kuptojnë këtë. Ka patur konflikte… Ata m’a morën Kur’anin, m’i larguan librat rreth Islamit, mobilin… Ndihesha e zbrazët. Në këtë mënyrë besimi im vetëm sa u bë edhe më i fortë…
Motra ime nuk beson në Zot. Inshallah ajo do ta gjejë të vërtetën gjithashtu, sikur unë. Lutem për të, ajo e meriton këtë.
Kam jetuar me këtë ndjenjë të mrekullueshme dhe e di se unë jam në rrugë të drejtë edhe nëse mendoj se shpesh është e ndërlikuar, me plot barriera dhe shumë keqkuptime.
Cili është misioni im atëherë? E di përgjigjen: të jem njeri i mirë, shoqe e mirë, më vonë grua e mirë… Të jem e dashur prej Zotit! Kjo është e vetmja gjë që ndodh. Unë jam e lumtur dhe falenderuese. Për çdo gjë.
“Të All-llahut janë edhe (anët nga) lindja edhe nga perëndimi, dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e All-llahut. Vërtetë, All-llahu është i gjerë (në bujari) e i dijshëm.” (2: 115)
Motra juaj Andy, Republika Sllovake, 2006
Përktheu: Fexhrie Kaçiu