Driton Kuka ishte një xhudist premtues në kohën e ish-Jugosllavisë. Në Kampionatin Evropian të Juniorëve të vitit 1989, i cili ishte mbajtur në Athinë, trajneri i sotëm i xhudos kishte përfunduar në pozitën e pestë, duke e mposhtur izraelitin Shay-Oren Smadja gjatë rrugës.
Smadja më vonë do ta fitonte medaljen e bronztë në Olimpiadën e Barcelonës në vitin 1992, shkruan sot gazeta Zëri.
Në vitin 1991 Kuka mori pjesë në të parin dhe të fundit eveniment si senior, në Botërorin e Hungarisë, ku e kishte fituar medaljen e bronztë në Budapest, në kategorinë 71 kilogramë.
E ardhmja e tij dukej e ndritshme, por lufta i shkatërroi ambiciet e tij të xhudos.
Ai, si pjesa dërrmuese e sportistëve, vendosi të pensionohej para kohe, para se të garonte nën ombrellën e sportit serb, edhe pse kishte oferta për ta përfaqësuar Jugosllavinë në evenimente të ndryshme dhe ka mundur ta bënte këtë ndoshta edhe në ndonjërën prej olimpiadave.
“Fatkeqësisht, ky ishte evenimenti i parë dhe i fundit si senior, sepse pas tij, për shkak të luftës, të gjithë shqiptarët e Kosovës refuzuan të garonin për Jugosllavinë”, ka thënë Kuka për uebfaqen e njohur “judocrazy.com”, e cila ia ka kushtuar një shkrim special trajnerit kosovar.
Kështu, si 19-vjeçar, karriera e Kukës mori fund në atë kohë. Ai nuk e humbi kurrë dashurinë për këtë sport. “Nuk mund ta imagjinoj jetën pa xhudo”, ka shtuar ai.
Xhudoja është pjesë e familjes së tij. Njëri nga vëllezërit e tij, Syla, ishte trajner i tij dhe vëllai tjetër, Agroni, është aktualisht president i Federatës së Xhudos së Kosovës.
Së bashku, ata e ndërtuan një klub të quajtur “Ippon” dhe ata e kanë një palestër të improvizuar, prej nga kanë dalë shumë kampionë.
Në vitin 1999, kur lufta në Kosovë mbaroi, Kuka filloi të ushtronte me fëmijë. Sot klubi numëron rreth 200 anëtarë, duke përfshirë këtu edhe medalistët tek kategoria e kadetëve, juniorëve dhe seniorëve.
Pa dyshim, nxënësja më e famshme e tij është Majlinda Kelmendi, e cila kishte nisur të merrej me xhudo kur ishte tetëvjeçare.
“Ajo ishte mjaft serioze në moshën e saj, shumë e fokusuar që nga fillimi”, kujton Kuka. “Ajo ishte nxënësja ime favorite. E shihja potencialin në të”, vazhdoi ai.
Kelmendi ishte talente e lindur. Ishte djathtake natyrale, por gjatë karrierës e forcoi edhe anën e majtë. Një ditë Kuka e pyeti se përse e kishte fokusuar forcën e saj në anën e majtë dhe ai e mori një përgjigje befasuese.
“Ajo më tha se më kishte parë duke luftuar në anën e majtë dhe e kishte nxjerrë konkludimin se duke luftuar në anën e majtë do të ishte mënyra më e mirë për ta bërë këtë”, përfundoi Kuka. /Zëri/