Kafja e mëngjesit me njerëz të urtë hap horizonte begatuese për mendjen dhe, dhuron në vazhdimësi qetësi dhe prehje shpirtërore, që ditës në vijim i japin kuptime e vlera…
Kështu ndodhi edhe sot, kur me një prej miqve të mi më të mirë po pinim kafenë e kësaj dite të re, buzë rrjedhës së Bunës… Është një peisazh i mrekullueshëm, që vetëm dhuron paqe e frymëzon ndjenjat e besimit në thellësitë e shpirtit… E bën heshturazi, pa pyetur, pa folur, pa trokitur, pa bezdisur njeri…
Teksa vështronim kompozimin e mrekullueshëm që Zoti i ka falur natyrës tonë, miku im foli dhe me fjalët e tij më çoi larg në mendime…
“Kam përshtypjen se në botë nuk ka ateistë (që realisht e mohojnë ekzistencën e Zotit), sepse në një moment të caktuar, edhe ata e thërrasin Zotin…”, foli në qetësinë e tij karakteristike, miku im…
Kjo fjalë, më solli ndër mend dijetarin dhe edukatorin e shquar, Shejkh Ahmed Keftaro, i cili, në mexhliset e tij të ndryshme, shpesh e përsëriste këtë fakt. Ai thoshte se, gjatë udhëtimeve të tij të shumta nëpër botë, kishte krijuar bindjen se: “nuk ka ateistë dhe nuk ka njeri, në zemrën e të cilit nuk ka mirësi!”
Ai thoshte se “Zoti”, që dikush e mohon duke u vetëshpallur ateist, nuk është Krijuesi real i gjithësisë, por një prezantim i gabuar, nga njerëz të gabuar, në kohëra e realitete të zymta… Dhe, kishte shumë të drejtë, i shrenjti Hoxhë…
Pastaj, më erdhën ndër mend ligjëratat e mrekullueshme, plot pathos dhe emocione të papërshkrueshme besimi, nëpërmjet të cilave, vëllau dhe miku im, Hoxha Amet Memedi, mundohet t’i flasë mendjes dhe shpirtit, zemrës dhe ndërgjegjes, duke i marrë për dore drejt argumenteve dhe fakteve të natyrshme, që buçasin me të madhe: “O njeri, çfarë të largon nga Zoti yt Bujar?!”…
Pastaj u ndala për pak dhe, teksa vështroja rrjedhën sistematike të Bunës dhe ulje-ngritjet në perfeksion të shpendëve aty pranë, vështrova në sytë e mikut tim dhe pohova me zemër: “Edhe unë jam i bindur se në botë nuk ka ateistë, miku im..!”
Realisht, argumentet dhe faktet në infinit, me të cilat rrethohet jeta e jonë, qenia e jonë, rregulli i këtij universi, natyra përreth nesh, por jo vetëm, nuk na lënë shteg tjetër.
Butësisht, na marrin për dore drejtë thirrjes së përbotshme: “Dije se nuk ka Zot tjetër, pos All-llahut”…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 3 mars 2016.