Egesta na bën të ndihemi përherë krenarë!
Egesta Lopçi fitoi para disa ditësh çmimin “International Best Abstract Award for Italy” në konferencën vjetore të SNMMI (Society of nuclear medicine and molecular imaging), të zhvilluar në San Diego të Kalifornisë. Ky çmim i është shtuar listës së gjatë të vlerësimeve kombëtare e ndërkombëtare që kjo shkencëtare ka marrë përgjatë viteve të saj në punën kërkimore.
Dy fjalë për Egestën
Egesta, vajza nga Shkodra, që prej 18 vitesh jeton, studion e punon në Itali, është mjeke bërthamore në spitalin “Humanitas Research Hospital’ të Milanos. Këtë vit, dr. Lopçi mori edhe doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive dhe është anëtare e Komisionit Onkologjik dhe Etik në Shoqatën Evropiane të Mjekësisë.
E vlerësuar me çmimin ndërkombëtar për kërkimin më të mirë në fushën e diagnostifikimit të tumoreve nga Shoqata Evropiane për Mjekësinë Bërthamore, Egesta është ngjitur tashmë në majat e shkencës botërore.
Ajo është gjithashtu edhe autore dhe bashkautore e shumë artikujve dhe librave shkencorë.
Edhe qyteti i saj i lindjes e ka vlerësuar talentin e dalë prej tij duke i akorduar titullin “Mirënjohja e qytetit”, për kontributin e saj në fushën e mjekësisë bërthamore dhe si përfaqësuese e denjë e Shqipërisë dhe e Shkodrës në shkencat mjekësore në botë.
Në fjalët e saj, ajo shpërfaq modesti për sukseset e arritura dhe mbështetje të plotë te Zoti:
“Më pëlqen të mendoj se shembulli im është dëshmi e faktit se kur ke besim të plotë te Zoti dhe vendosmëri në rrugën e drejtë, asgjë nuk të ndalon apo frikëson. Fatkeqësisht, shumë vëllezër dhe motra janë të diskriminuar ose të përjashtuar për shkak të besimit, por unë do t’i këshilloja që të mos dorëzohen e të kenë besim, sepse Zoti është më i miri i mbështetësve.