Egjipt: Sisi: Armata nuk do të lejoj dhunë të mëtejshme, ka vend për të gjithë

Puçisti i cili është edhe kreu i Forcave të Armatosura të Egjiptit ka dhënë një mesazh për mbështetësit e Morsit, ku u thotë se “në Egjipt ka vend për të gjithë”.

Sisi i nxiti ata të jepnin ndihmën e tyre “për të rindërtuar rrugët demokratike” dhe “për t’u integruar në procesin politik”. Por, ai paralajmëroi gjithashtu se ushtria nuk do të heshtë, nëse përballet me dhunën.

Raportimet bëjnë të ditur se 38 persona të burgosur të pafajshëm janë vrarë nga ushtria, në rrugë e sipër për në burgun “Abu Zabal” në provincën Qaliubiyah.

Komentet e al-Sisi ishin të parat në publik, që prej vrasjes së mijera njerëzve, kur ushtria dhe policia pastruan dy kampet e protestuesve, ditën e mërkurë.

Aleanca pro-Morsi dhe anti-Grushtit të Shtetit bën të ditur se do të vazhdojë me protestat në kryeqytet, pavarësisht raportimeve të para se organizimet ishin anuluar, për shkak të kërcënimit nga “snajperat” përgjatë rrugëve.

Ndërkohë, agjencite e lajmeve raportojne se 181 persona janë vrarë dhe 549 të tjerë janë plagosur, në dhunën e shpërthyer në mbarë vendin gjatë së shtunës.

 

Princi shkarkon shefin e TV, lidhje me Vllazërinë Muslimane

Një predikues i njohur kuvajtian, Tareq al-Suwaidan, është shkarkuar nga puna e tij si drejtor i kanalit televiziv fetar të Arabisë Saudite, për shkak të lidhjeve të tij me Vllazërinë Muslimane.

Pronari i televizionit, Princi Alwaleed bin Talal, tha se nuk ka vend për anëtarë të Vllazërisë Muslimane në biznesin e tij. Suwaidan ka qenë një kritik i ashpër i qeverisë së mbështetur nga ushtria në Egjipt.

Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, ka dhënë mbështetje të fortë ndaj administratës së re egjiptiane. Princi Alwaleed e bëri publik vendimin në Twitter, ku postoi një kopje të letrës së shkarkimit, me arsyetimin se “Suwaidan kishte pranuar se ishte pjesë e lëvizjes terroriste Vllazëria Muslimane”.

Predikuesi e kishte identifikuar veten e tij si “një nga liderët e Vllazërisë Muslimane”, gjatë një leksioni në Jemen, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Artikulli paraprakBerisha: Qeveria e Ramës, rrezik kombëtar
Artikulli vijuesPuçistët, lirojnë edhe Mubarakun nga burgu?