Egjipti voton për kushtetutën

0
153

Komisioni për hartimin e Kushtetutës la të pandryshuara parimet e ligjit islamik si bazën e dokumentit.

Në Egjipt, komisioni për hartimin e Kushtetutës, i cili mbizotërohet nga konservatorët, la të pandryshuara parimet e ligjit islamik si bazën e dokumentit, duke e shpejtuar procesin e miratimit megjithë bojkotin nga ana e opozitës dhe thellimin e krizës politike.

Parlamenti vendosi papritur ta bëjë votimin sot, më përpara se sa ishte planifikuar, në mënyrë që ta miratojë projektin përpara se Gjykata e Lartë Kushtetuese të mblidhet të dielën për të vendosur nëse do ta shpërndajë ose jo komisionin. Parlamenti po voton për kushtetutën nen për nen.

Gjatë pak ditëve të kaluara, rreth 30 anëtarë liberalë ose të krishterë janë larguar nga komisioni për të protestuar ndaj asaj që ata e quajnë vjedhje të procesit nga islamikët, besnikë të Presidentit Mohamed Morsi.

Votimi vjen mes akuzave se komisioni po nxiton për ta miratuar sa më shpejt kushtetutën për të shmangur kritikat. Ndërkohë, po shtohen protestat që lidhen me luftën mes partisë Vëllazëria Muslimane e mbështetur nga presidenti dhe gjykatave, për kontrollin e tranzicionit politik.

Ngutja për miratimin e kushtetutës duket se synon të mënjanojë një vendim që Gjykata e Lartë mund të marrë të dielën për të shpërndarë parlamentin. Gjykata do të synoje te vendosë gjithashtu mbi legjitimitetin e dhomës së lartë të parlamentit të mbizotëruar gjithashtu nga islamikët. Dhoma e ulët, u shpërnda nga e njëjta gjykatë në qershor.