Egjipt, formohet kabineti i ri qeveritar

Kreu i ushtrisë egjiptiane, feld-marshalli Hussein Tantaui, do të vazhdojë të ketë detyrën e ministrit të Mbrojtjes, ndërsa kryeministri i ri i vendit me 85 milionë banorë do të jetë Hisham Qandil.

Këto ishin dy emrat më të rëndësishëm të kabinetit të ri qeveritar të Egjiptit, i formuar ditën e enjte.

Qeveria e parë demokratike që pas largimit të Hosni Mubarak pas 32 vitesh në pushtet do të betohet tek presidenti Mohammed Morsi javën e ardhshme, përpara se të nisë zyrtartisht nga puna e saj, raporton TCH.

Pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese që u realizuan pas rënies së regjimit të mëparshëm, posti i ministrit të Mbrojtjes vazhdon të jetë thelbësor për stabilitetin e vendit, pasi ushtria vazhdon të ketë kompetenca të gjëra, përfshi edhe kompetenca juridike.

Feld-marshalli Tantaui udhëhoqi vendin për më shumë se një vit, pas marrjes në dorë të pushtetit nga ana e ushtrisë.

Kryeministri i ri, Hisham Qandil, ishte ministër i Rezervave Ujore në qeverinë e shkuar dhe zgjedhja e tij befasoi shumë ekspertë.

Një tjetër post kyç, ai i ministrit të Besimeve Fetare iu caktua Osama al-Abd, presidentit të universitetit musliman al-Azhar.  /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakAnnan dorëhiqet nga misioni në Siri
Artikulli vijuesBritania dhe Rusia me dallime të mëdha për Sirinë