Rekordi i ri që kanë arritur eksportet gjermane duhet ta zemërojë proteksionistin Donald Trump. Keq për të, sepse një ekonomi e fortë gjermane shkon edhe në favor të SHBA-së, mendon Henrik Böhme.
Ky njoftim nga Gjermania duhet ta zemërojë mjaft presidentin e ri në Shtëpinë e Bardhë. Ndoshta ai mund ta “cicërojë” në twitter zemërimin sa të ngrihet nga gjumi. Ja një propozim për të: “Pra, sërish një shembull si këta gjermanët po e rrafshojnë ekonominë tonë dhe po shkatërrojnë vende pune. Përmbysin tregun tonë me produktet e tyre.”
Prit, prit, më ngadalë – ky vështrim i thjeshtëzuar mbi botën e komplikuar të ndërlidhjeve tregtare nuk ndihmon askënd. Po, është e vërtetë: Gjermania është një eksportuese e rëndësishme, madje numri tre në botë. Në vend të parë janë kinezët, në vend të dytë…kush do thoni ju? SHBA! Pse nuk e zemëron kjo askënd në Gjermani? Sepse për tregti nevojiten gjithmonë dy vetë. Njëri që do të shesë një produkt, për të cilin një tjetër ka nevojë. Sepse në Gjermani mirëpranohet që SHBA ende janë kombi më i fuqishëm ekonomik në glob. SHBA dhe jo Kina. 18 bilionë dollarë kapacitet ekonomik për 320 milionë banorë. “That’s great, Mr. President!” 18 bilionë – kjo është më shumë se arrijnë kinezët me katërfish më shumë njerëz.
Logjika e tregtisë
Nuk ka qenë madje vendim gjerman, transferimi i prodhimit kompleks amerikan jashtë. Historia e trishtueshme e industrisë së automjeteve në e përreth Detroitit, për shembull ka të bëjë më shumë me politikën e gabuar të modelit dhe cilësisë. Jo me atë, sepse sillen automjete gjermane në SHBA. E nëse Mr. President shikon në bulevardin “5th Avenue” në Nju Jork më shumë automjete me yllin e Mercedesit -e në Gjermani -gati asnjë Chevrolet – kjo mund të ketë të bëjë me vendimin e General Motors para disa vitesh – të mos e përdorë më këtë markë në Europë. Në kontinentin e vjetër General Motors ecën vetëm me Opel dhe Vauxhall. Opel shikon sa të duash në Gjermani. Pra edhe njëherë më thjesht: Çdo Opel i blerë në Gjermani mbush xhirollogaritë e General Motors. Kjo krijon e madje ruan vende pune në Detroit. Edhe me shumë produkte të tjera funksionon po kjo logjikë.
Gjermanët blejnë pa pushim
Kritika për fuqinë e eksporteve gjermane nuk është as e re dhe as origjinale. Natyrisht Gjermania mund ta zvogëlojë tepricën e eksporteve, po qe se shteti do të investonte më shumë, por le të marrim si shembull, shteti do të vendoste të rikonstruktonte të gjitha shkollat e vendit: Çfarë do përfitonin nga kjo firmat amerikane? Shpesh madje vjen edhe propozimi për rritjen e nivelit të rrogave, me qëllim që gjermanët të blejnë më shumë, edhe produkte që importohen në Gjermani. Por, së pari negociatat për pagat janë pjesë e palëve që kanë rregullore tarifash. Së dyti, gjermanët edhe në këtë gjendje e prapë blejnë si të çmendur, kjo për shkak të gjendjes së mirë të punësimit. Kërkesa brenda vendit është motori i rritjes ekonomike në Gjermani.
Me që ra fjala: Jo vetëm eksportet gjermane kanë arritur rekord në 2016-n edhe importet kanë shënuar një rekord të ri. Gjermania është po ashtu importuesja e tretë më e madhe në botë.
Ajo puna me euron e dobët…
Mirë këto, po ajo puna me euron “e dobët”, me të cilën me gjasë gjermanët “shfrytëzojnë” SHBA dhe pjesën tjetër të botës? Çfarë marrëzie! Së pari euroja nuk është valutë gjermanë, por valutë e 19 vendeve europiane. Vendime të tilla i merr Banka Qendrore Europiane, e drejtuar nga italiani, Mario Draghi. Ai me politikën e normave zero të interesit dhe një programi gjigand për blerjen e bonove shtetërore kujdeset që euro të mbetet e dobët. E dini kush është kritikuesi më i madh i kësaj politike në këshillin e BQE? Përfaqësuesi gjerman aty, kreu i Bankës Federale, Jens Weidmann.
Mos ndoshta duhet të pranohet se firmat gjermane thjesht bëjnë mirë detyrat e shtëpisë.., se firmat e mesme të prodhuesve të makinerive e dinë shumë mirë se ç’duan klientët e tyre…, se punëtorët e kualifikuar nuk u nxorrën në rrugë në kohë krize…se prodhuesit gjermanë të automjeteve edhe në SHBA sigurojnë mijëra vende pune. Ndoshta për Mr. President do t’ia vlente t’i hidhte një sy realitetit. Edhe në kohën e fakteve alternative./Kumti.com