Ekzekutohet me varje Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Jamaat-e-Islami

Një zyrtar kryesor nga partia Jamaat-e-Islami (Bashkësia Islame) në Bangladesh është ekzekutuar me pretendimin për krime lufte të kryera gjatë luftës për pavarësi në Bangladesh të vitit 1971, sipas mediave lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
 
Muhammed Kamaruzzaman, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Jamaat-e-Islami, u ekzekutua me varje të shtunën pas refuzimit të presidentit për t’iu falur atij dënimi me vdekje.
 
Sipas raportimeve të medieve lokale, që iu referohen burimeve të policisë, bëhet e ditur se Kamaruzzaman është ekzekutuar me varje në burgun Qendrore në Dhaka, kryeqytetin e Bangladeshit.
 
Mësohet se disa imazhe televizive nga jashtë ambienteve të burgut kanë treguar një ambulancë teksa ka hyrë në burgun në fjalë për të marrë trupin Kamaruzzaman. Ky i fundit kishte pranuar të dëshmonte për pretendimet e institucioneve gjyqësore për krime lufte, me kushtin që të mos ekzekutohej, por pas një rishqyrtimi, kjo ishte refuzuar nga Gjykata e Lartë duke u lënë në fuqi vendimin për dënimin e tij me vdekje.
 
“Ai neve na ka thënë se vetëm Zoti mund të marrë ose të japë një jetë, jo një qenie njerëzore. Kjo është arsyeja pse ai zgjodhi opsionin për të kërkuar mëshirën e presidentit të vendit”, tha djali i Kamaruzzaman, Hasan Iqbal për Anadolu Agency (AA). Iqbal ka deklaruar ndër të tjera se ata si familjarë nuk ishin informuar nga autoritetet e burgut për ekzekutimin e kryer, por e kanë mësuar këtë lajm nëpërmjet raportimeve të medieve.
 
Pasi ishte vendosur përfundimisht që Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Jamaat-e-Islami, Muhammed Kamaruzzaman do të ekzekutohet, ai ishte kontrolluar më pas nga mjekët dhe pastaj edhe nga një klerik fetar para se të kryhej ekzekutimi  me varje.
 
Njësitë e Gardës Kufitare në Bangladeshi, një forcë paraushtarake që kujdeset për garantimin e sigurisë, kanë marrë masat dhe raportohet se janë të vendosur për të parandaluar trazirat, ndërsa forca të shumta policie kanë qenë të vendosura jashtë burgut qendror në Dhaka.
 
Kamaruzzaman u dënua me vdekje në maj 2013 nga ana e Gjykatës për Krime Ndërkombëtare, një gjykatë vendase kjo e formuar për të hetuar krimet e luftës të 1971, dhe apelimi ishte hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë në nëntor 2014, duke mbështetur dënimin me vdekje ndaj tij.
 
Gjykata pretendoi se Kamaruzzaman  është fajtor për pesë akuza për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë edhe akuzat për vrasje, përdhunim dhe rrëmbim.
 
Ai ishte personi i dytë ekzekutuar për krime lufte pasi një tjetër figure kryesore të Jamaat-e-Islami, Abdul Quader Molla, u var në dhjetor  të vitit 2013. Udhëheqësi i partisë Motiur Rahman Nizami u dënua edhe ai me vdekje në nëntor.
 
Deri në 3 milion njerëz u vranë nga ushtria pakistaneze dhe aleatët lokalë gjatë luftës për pavarësi, sipas statistikave zyrtare të zyrtarëve të Bangladeshit.
 
Gjykata në fjalë është kritikuar ashpër nga partitë politike opozitare dhe organizatat e të drejtave të njeriut që pretendojnë se procesi ishte i padrejtë dhe i motivuar politikisht.
 
Ndërkohë pak para ekzekutimit të shtunën, Departamenti i Shtetit i SHBA-së lëshoi një deklaratë duke theksuar se ndërsa procedurat dhe veprimet e Gjykatës për krime lufte në këtë vend ishin përmirësuar, kishte ende vend për përmirësime për t’u përmbushur detyrimet e marrëveshjeve ndërkombëtare.
 
Organizata Human Rights Watch, të cilët e kanë kritikuar më parë gjykatën, i kishte bërë thirrje më herët qeverisë së Bangladeshit për të ndaluar ekzekutimin.
 
“Human Rights Watch ka mbështetur procesin për drejtësi dhe llogaridhënie për krimet e tmerrshme që kanë ndodhur në vitin 1971, por këto gjykime duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë”, tha drejtori i organizatës për Azinë, Brad Adams, në një deklaratë të publikuar të hënën.
Artikulli paraprakObama: Epokë e re për angazhimin e SHBA-së në Amerikën Latine
Artikulli vijuesRoja Bregdetare Italiane shpëton rreth njëmijë refugjatë në Mesdhe