Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) njoftoi se vendi i tij do të formojë Ministrinë shtetërore për lumturinë, si pjesë e planit me të cilin dëshiron të bëhet një riorganizim i madh i qeverisë, raporton Andolu Agency (AA).
Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, i cili njëkohësisht është edhe kryeministër dhe sundimtar i EBA-së, njoftoi se ministrat do të ndjekin një politikë në drejtim të krijimit të mirësisë sociale dhe kënaqësisë.
Ai gjithashtu tha se në përbërjen e re të qeverisë do të formohet edhe Ministria e Tolerancës. Ai shtoi se disa prej ministrive aktuale do të bashkohen, si dhe zbuloi planet për shumicën e agjencive të huaja qeveritare.
“Qeveritë duhet të jenë fleksibile. Nuk kemi nevojë për më shumë ministri, por për ministra të aftë që do të përballen me ndryshimet. Dëshirojmë qeveri të re dhe fleksibile që do të plotësojë aspiratat e njerëzve tanë të rinj dhe të realizojë ambiciet e popullit tonë”, tha Sheiku Mohammed.
Në profilin e tij twitter njeriu i parë i Emirateve ka shkruar: “Ministri i Shtetit për Tolerancë do të promovojë virtytet e tolerancës si bazë të vlerës shoqërore në Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Ai gjithashtu njoftoi themelimin e këshillit kombëtar për të rinjtë në EBA.
“Energjia e të rinjve do të inkurajojë qeverinë tonë në të ardhmen”, ka thënë Sheikh Mohammed, transmetojnë mediat britanike.
Ai shpjegon se ky grup i përbërë nga njerëz të elitës së të rinjve dhe të rejave do të këshillonte për çështjet e rinisë. Udhëheqëse është një grua, Ministre e Shtetit për Rini, jo më e vjetër se 22 vjet.