Erdogan-Thaçi, angazhim për rritjen e investimeve dhe tregtisë

0
175
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur të enjten në Pallatin Presidencial zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Të pranishëm në takimin Erdogan-Thaçi, që zgjati rreth 45 minuta, ishin gjithashtu ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu; nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin; ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga të dyja vendet.
Shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, ka pohuar se ditën e parë të kontakteve të tij zyrtare në Turqi e ka mbyllur me një takim të përzemërt me Presidentin Erdogan, të cilin e konsideron si një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.
Erdogan-Thaçi, angazhim për rritjen e investimeve dhe tregtisë
Në një postim në rrjetin social Facebook, zv/kryeministri Thaçi shprehet me këto fjalë në lidhje me takimin e tij me Presidentin Erdogan: “Më uroi për festën e pavarësisë dhe më përgëzoi për progresin e Kosovës në këto shtatë vite. Ai i kushton një vëmendje dhe rëndësi të veçantë procesit të njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare, duke konfirmuar se Turqia do të vazhdojë të luajë një rol aktiv në këto përpjekje. Në bisedë u ndalëm tek investimet turke në Kosovë, ku Presidenti Erdogan u angazhua se do të nxisë rritjen e vëllimit të investimeve dhe tregtisë.”
Ndër të tjera, kryediplomati kosovar i ka konfirmuar liderit turk se diplomacia ekonomike mbetet një prioritet dhe se biznesmenët turq janë të mirëpritur në Kosovë.