Sot nisin bisedimet për paqe në Gjenevë mes opozitës dhe pozitës siriane, Kerry paralajmëron regjimin
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, u shpreh se vendi i tij do të vazhdojë që të ndjekë politikën me dyer të hapura për refugjatët sirianë, ndërkohë që ka vazhduar me kritikat ndaj BE-së, duke e quajtur unionin hipokrit. Kreu i shtetit u shpreh se në sytë e botës, vendi i tij është kthyer në një lloj frymëzimi dhe qeveria duhet që të tregohet e fortë në ditët kur do të ketë humbje politike, sociale, kulturore dhe etike. Erdogan siguroi se qeveria e tij kurrë nuk ka pyetur se sa sirianë do të vijnë dhe nuk është sjellë në mënyrë hipokrite, si vendet perëndimore. “Ka tre milionë refugjatë në vendin tonë aktualisht. Ne duhet që t’i pranojmë njerëzit, të cilët u largohen bombave me një politikë me dyer të hapura, nga tani e tutje. Bijtë e këtij civilizimi duhet që të veprojnë kështu. Nëse ne i kemi hapur kufijtë, kjo ka ndodhur për shkak të përgjegjësisë që civilizimi ynë ka vendosur tek ushtarët tanë. Nuk do shikojmë sa refugjatë vijnë, do i presim ata ndryshe nga vende hipokrite europaine”, tha Erdogan. Presidenti turk shtoi se ai do të luftojë kundër të gjithë atyre që duan t’i paraqesin myslimanët si terroristë dhe një burim vrasjesh me vlerat që mbartin. “IS-i dhe Boko Haram-i nuk mund të ekzistojnë aty ku jemi ne. Partitë PKK, PYD (Partia e Unionit Demokratik) dhe YPG (njësia e saj me njerëz të armatosur) nuk duhet që të veprojnë”. Mbi 2.5 milionë sirianë qëndrojnë në Turqi, që është vendi me numrin më të madh të tyre. Deri tani, Turqia ka shpenzuar rreth 9 miliardë euro për refugjatët, që nga nisja e krizës. Megjithatë, një numër i madh i emigrantëve që futen në Turqi zgjedhin që të emigrojnë drejt vendeve të BE-së. Objektivi i tyre është përfitimi i azilit në shtete si Gjermania. Vetëm në vitin 2015 në vendet e unionit u dyndën mbi 1.2 milionë persona. Ardhja e emigrantëve ka detyruar vendet e BE-së që të mbyllin kufijtë, e kjo solli një reaksion zinxhir edhe në vendet e Ballkanit, territori i të cilave përdoret si transit. Mbyllja e kufirit maqedonas ka bërë që një numër i madh i emigrantëve të ngecin në Greqi. Aktualisht në shtetin helen ndodhen 44 mijë emigrantë.
Ndërkohë, ditën e sotme pritet që të nisin diskutimet mes pozitës dhe opozitës siriane në Gjenevë të Zvicrës. Por qeveria siriane ka vendosur kushtet e saj, që pritet të sjellin shumë vështirësi në arritjen e një akordi. Ministri i Jashtëm i vendit, Walid Muallem, hodhi poshtë çdo ide për zgjedhje presidenciale. Por një kërkesë e tillë bie ndesh me objektivat e opozitës, që kërkon që pushteti i Presidentit Bashar al Assad të reduktohet në maksimum. Një zëdhënës i opozitës siriane tha se, kushtet paraprake të qeverisë mund t’i ndalin bisedimet ende pa nisur mirë. Dhuna në Siri është pakësuar ndjeshëm që prej armëpushimit të negociuar nga fuqitë e mëdha, por sidoqoftë problemet nuk janë zgjidhur ende. Nëse edhe bisedimet dështojnë, luftimet mund të rinisin. Dëshira e opozitës siriane është krijimi i një qeverie të përkohshme, me fuqi të plota ekzekutive, në të cilën udhëheqja aktuale nuk do të kenë asnjë rol. Dy ditë më parë, i dërguar i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, u shpreh se dëshiron që në Siri të zhvillohen zgjedhje presidenciale brenda 18 muajsh, por ministri i Jashtëm sirian e hodhi poshtë këtë ide.
Ndërkohë që sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, diskutoi me ministrat e Jashtëm të Francës, Italisë, Britanisë dhe Gjermanisë situatën në Siri. “Kundër të gjitha gjasave dhe parashikimeve, ne ia dolëm që të mbanim armëpushimin në vend. Tani dhuna është ulur gati 80%. Njerëzit po rrinë në kafene në një mënyrë që s’do të guxonin ta bënin dy javë më parë. Shkelësi më i madh i armëpushimit është regjimi sirian. Duhet të kenë kujdes mos ta përkeqësojnë gjendjen. Zgjidhja e vetme afatgjatë për të mos pasur më refugjatë është përfundimi i luftës civile”, tha Kerry.