EULEX-i duhet t’i mbështesë dhe jo frikësojë sinjalizuesit e korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës, degë e Transparency International për Kosovë duke i parë zhvillimet rreth Maria Bamieh, ish-prokurore dhe sinjalizuese për dyshime për keqmenaxhim në misionin e BE-së për Sundim të Ligjit – EULEX, kërkon që EULEX-i të bëjë publike procedurat për raportimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Kjo për arsye që rastet e korrupsionit apo të keqpërdorimit të pozitës brenda këtij institucioni apo institucioneve tjera ku EULEX-i operon të bëhen publike me qëllim të luftimit dhe parandalimit të tyre.
 
“Në nëntor të vitit 2014, Maria Bamieh publikisht deklaroi që ajo dyshonte që disa kolegë të saj kanë vepruar kundërligjshëm dhe kërkesat e saj për hetime të brendshme ishin neglizhuar nga ky Mision. Aktualisht, Bamieh ka hapur rast gjyqësor kundër EULEX-it për viktimizim dhe largim nga puna për shkak të aktiviteteve sinjalizuese në Tribunalin e Punës në Londër”, thuhet në komunikatë.
 
Sipas avokatëve të Bamieh, EULEX e ka kërcënuar atë se do ta ndjekë penalisht nëse ajo apo avokatët flasin me palë të tjera për rastin e saj gjyqësor dhe ka kërkuar privatësi të plotë gjatë të gjitha fazave të procedurës gjyqësore.
 
“EULEX është mision që financohet nga taksapaguesit evropianë dhe është i thirrur të luftojë korrupsionin në Kosovë andaj ekziston interes i lartë publik që zhvillimet e këtij rasti të jenë publike dhe lehtë të qasshme për publikun dhe mediat. Kërcënimi i Bamieh nga EULEX përbën frikësim të sinjalizuesëve të tjerë që mund të jenë denoncues të korrupsionit apo keqmenaxhimeve”, thuhet më tej në kumtesë.
 
Sipas KDI-së, EULEX-i duhet të jetë shembull se si duhet trajtuar një sinjalizues i korrupsionit për të përmirësuar situatën në vend se të dërgojë mesazhin që kushdo që flet për korrupsionin do të përballet me kërcënimin për t’u ndjekur penalisht.
 
“Përpjekjet e EULEX-it për të sforcuar privatësinë mund të ndalojnë dëshmitarët që t’i paraqesin keqpërdorimet. EULEX-i do duhej të fokusonte energjinë tek fuqizimi i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe tek ofrimi i shembujve të mirë të veprimit dhe jo në frikësimin e sinjalizuesve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Artikulli paraprakTeksti në librat serbe se shqiptarët janë autokton në Ballkan, hallakatë Serbinë
Artikulli vijuesQeveria miraton demarkacionin me Malin e Zi, Meha: Ja çfarë do të ndodhë me kufirin