The Economist.
Kantina e verës, fituese e çmimit Psagot, në një zonë kolonësh në Bregun Perëndimor në veri të Jeruzalemit është kthyer në stacion i pëlqyer në vitet e fundit për politikanët e djathtë izraelitë dhe amerikanë, të gatshëm jo vetëm të pinë Kabërnet, por dhe të fitojnë pikë politike duke kujtuar rikthimin e çifutëve në atdheun e tyre biblik. Gjashtëdhjetë e pesë për qind e 250 000 mijë shisheve që prodhohen atje çdo vit eksportohen. Sipas rregullave të reja të Bashkimit Europian të kësaj jave, shishet që shiten në Europë nuk do të etiketohen më “Prodhuar në Izrael”, por “Prodhuar në Bregun Perëndimor (kolonia e Izraelit)”.
Yaakov Berg, pronari i kantinës, nuk është i shqetësuar për biznesin e tij. “Njerëzit që duan të blejnë verërat tona e dinë ku ndodhemi dhe duan t’i blejnë ato,” thotë ai. “Kjo ndoshta do t’i bëjë ato më të famshme.” Ai po planifikon tashmë një radhë arkash shtesë dhuratë për Krishtlindje, për të cilat ai beson se do të kenë sukses në komunitetet evangjeliste në Amerikë. Megjithatë, disa nga kolegët e tij prodhues në zonat e kolonëve kanë pasur rënie të shitjeve, pasi pikat e shitjes me pakicë në Europë nuk pranojnë të furnizohen prej tyre.
Etiketimi si prodhim nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor, Lartësitë Golan dhe Jeruzalemi Lindor kanë qenë objekt i mosmarrëveshje diplomatike mes BE dhe Izraelit për më shumë se shtatë vite. Evropianët, si gjithë pjesa tjetër e botës, nuk e njohin sovranitetin e Izraelit në tokat e pushtuara në luftën gjashtëditëshe më 1967 dhe i konsiderojnë ndërtimet izraelite si të paligjshme. Megjithëse Izraeli gëzon hyrje preferenciale në tregjet e Europës dhe merr financime për programe kërkimore brenda “vijës së gjelbër”, ai nuk ka pranuar t’u bindet rregullave të mëparshme evropiane të etiketimit. Rregullat e reja i detyrojnë vendet anëtare të BE të garantojnë që importet nga kolonët të deklarojnë burimin e saktë.
Izraeli ka reaguar duke e akuzuar Europën për diskriminim. Kryeministri i Izraelit, Binyamin Netanyahu, pyeti pse rregulla të tilla nuk ekzistojnë për rastet ku ka kundërshtim kufijsh, si Qiproja e Veriut, duke e akuzuar BE për “standard të dyfishtë” dhe tha se kjo lëvizje “rikthen kujtimet”, duke aluduar për holokaustin.
Masat e reja përbëjnë një goditje diplomatike për Izraelin si dhe një fitore për lëvizjen BDS (Bojkot, Mosinvestime, Sanksione), e cila bën thirrje për bojkotimin e gjithë prodhimeve të Izraelit. Megjithatë, diplomatët evropianë u përpoqën të theksonin se rregullat e reja nuk synojnë të vendosin bojkotimin e prodhimeve të Izraelit në asnjë mënyrë. Kjo, thanë ata, bëhet për të garantuar që konsumatorët nuk keqinformohen.
Cilido qoftë justifikimi moral i këtij hapi, nuk ka gjasa të jetë diçka më shumë se një ushtrim në politikën e gjesteve. Ministria e Ekonomisë së Izraelit parashikon që kjo nuk do të shkaktojë dëm më të madh se 50 milionë dollarë për prodhuesit e verërave të Izraelit në vit, nga 300 milionë dollarë që eksportohen nga zonat kolona (dhe rreth 18.9 milionë dollarë verëra që eksportohen në Europë nga Izraeli). Kjo nuk do të ndihmojë në rifillimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, dhe veç mund të izolojë një qeveri izraelite që mendon se veçohet padrejtësisht nga një komunitet ndërkombëtar armiqësor dhe, në këndvështrimin e tij, antisemit.