Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Gjermani, duke folur në një takim të fondacionit “Friedrich Ebert” tha se ne e dëshirojmë Bashkimin Evropian, kur euroskepticizmi është rritur në Evropë sepse e shohim integrimin evropian për Shqipërinë dhe Ballkanin, si instrument modernizues dhe forcë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
“Ne nuk jemi duke rendur drejt anëtarësimit, por jemi gjithmonë e më shumë të dëshiruar për të mos humbur perspektivën europiane, si i vetmi horizont në sytë e njerëzve tanë, sepse do të ishte tepër vonë, nëse forcat antieuropiane do të zinin rrënjë në rajon. Mund të pyesni, – vërtet e keni seriozisht që jeni kaq shumë pro europianë sot, kur çdokush do që të dalë, ju do doni të hyni?! Por, mendoj se, është pak më shumë e ndërlikuar dhe më pak sipërfaqësore se kaq. Për ne, Europa ka të bëjë me diçka shumë më shumë të rëndësishme, ka të bëjë me të ardhmen, paqen dhe sigurinë. Për ne do të thotë të ndërtosh të ardhmen mbi të pamundurën e të shkuarës”, tha Edi Rama.