Ezani i sabahut në Ramazan, do të thirret në televizionin e Londrës

Gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit, pritet që ezani e sabahut të thirret në një televizion britanik, për tu dhënë një zë myslimanëve në vend.

Kanali Katër, ka deklaruar se do të jetë kanali i parë në Britani që do të transmetojë ezanin e sabahut në orën tre të mëngjesit për çdo ditë të muajit të Ramazanit. Kanali Katër është një kanal publik i cili është hapur për pakicat. Ai do të ndërpresë programet e tij të përditshme katër herë, ditën e parë të muajit të Ramazanit, për tu kujtuar shikuesve myslimanë hyrjen e kohës së namazit.
Ralph Lee, drejtori i programeve të televizionit, u shpreh se priten dhe kritika për faktin se vëmendja do të fokusohet tek një fe e caktuar, por që shpreson se kjo do tu ofrojë myslimanëve një zë më tepër. Në deklaratën e tij, ai u shpreh:”Ezani i namazit e nxit myslimanin për tu zhytur në momente qetësie dhe adhurimi. Transmetimi i këtij rituali, do të nxisë kureshtjen e teleshikuesve të tjerë ndaj kësaj ngjarje.”
Vlen të thuhet se pas vrasjes së një ushtari britanik në një nga rrugët e Londrës, janë shtuar aktet hakmarrëse ndaj komunitetit mysliman në Britani. Vetë kryeministri britanik, David Kamerun, qe shprehur menjëherë pas këtij akti makabër se:”Ai ishte një tradhti ndaj islamit dhe shoqërive myslimane, të cilat kontribuojnë shumë për këtë vend.” /a.online/kohaislame

Artikulli paraprakEgjipt – Pas xhumasë protestë pro-Morsi
Artikulli vijuesVëllazëria Myslimane: Nuk bashkëpunojmë me grusht shtetin, por nuk rrokim armët