Refugjatët sirianë, gjendje kritike në Jordani

Organizata e Kombeve të Bashkuara lajmëroi se eksodi i refugjatëve sirianë drejt Jordanisë është rritur ndjeshëm në javët e fundit, duke sforcuar në kufijtë maksimalë kapacitetet e kufizuara të Amanit zyrtar.

Një zyrtar i OKB-së tha të enjten për “BBC” se të paktën 3 mijë qytetarë sirianë kalojnë kufirin në mënyrë të përditshme dhe se rreth 50 mijë të tjerë presin të kalojnë në territorin jordanez.

Jordania ka lajmëruar më parë se nëse do të ketë një fluks masiv refugjatësh, do të detyrohet që të mbyllë kufirin me Sirinë.

Që prej datës 1 janar, të paktën 27 mijë sirianë kaluan kufirin për në Jordani, ndërsa mbi 10 mijë të tjerë kanë mbërritur vetëm në pesë ditët e fundit, duke e bërë gjendjen pothuajse të papërballueshme për Jordaninë.

Në muajt e fundit, për shkak të intensifikimit të luftimeve, ka pasur një rritje eksponenciale të numrit të refugjatëve që i drejtohen Jordanisë, me rreth 10 mijë në tetor 2012, 13 mijë në nëntor, 16 500 në dhjetor dhe 27 mijë deri tani në janar.

”Gjendja është me të vërtetë kritike. Ne po bëjmë gjithçka mundemi, por kapacitetet tona po shterojnë. Kemi nevojë urgjente për para dhe ndihma të tjera për të zgjeruar dhe asistuar kampet e refugjatëve”, apeloi drejtuesi i një organizate humanitare, nga një kamp refugjatësh në Jordani.

Sipas analistëve, nëse Amani zyrtar do të vendosë të mbyllë kufirin, kjo do të shkaktojë rrjedhoja tepër të rënda për mijëra familje, të cilat kanë braktisur gjithçka me drejtim Jordaninë për t’i shpëtuar luftës, pasi mbyllja e kufirit do t’i linte ata pa rezerva ushqimore, ujë apo mjekime, në mes të një prej zonave më të nxehta të luftimeve. /tch/kohaislame

Artikulli paraprakPakistan: Pa akuza mbahen të burgosur 700 persona
Artikulli vijuesItali, vritet shqiptarja me 4 plumba