“Kredi në të zezë” kështu kuptohet ndryshe termi fajde, me të cilin Kosova po përballet pothuajse çdo ditë. Përveç vrasjeve për prona, tashmë fajdet dhe haraçi po shkatërrojnë jetën e shumë njerëzve dhe familjeve të tëra.
Kjo dukuri, ka kapluar sidomos qytetin e Prizrenit, vend ky që është bërë çerdhe e vrasjeve pikërisht për marrjen e kredive në të zezën.
Vetëm një javë më parë, për të njëjtën arsye ndërroi jetë Hekuran Morina, një 40 vjeçar nga Prizreni, i cili u vra nga Bernard Plezari, me arsyen se babai i Hekuranit i kishte atij një shumë prej 70 mijë euro borxh. I njëjti që kreu vrasjen, ishte liruar ditë më parë nga paraburgimi, edhe pse ka pasur një proces gjyqësorë me aktakuzën e detyrimit.
Sipas policisë, vetëm gjatë vitit 2015, në Kosovë kanë ndodhur 13 vrasje për vepra kriminale të ndryshme, katër prej të cilave kanë ndodhur në Prizren, raporton lajmi.net.
Po në këtë vend, vetëm gjatë muajit maj, u arrestuan shtatë persona të cilët merreshin me fajde, ndërsa personi më i ri kishte vetëm 19 vjet.
Sipas statistikave nga Policia e Kosovës të siguruara për lajmi.net, vitin e kaluar kanë ndodhur gjithsej 30 vrasje, ku Peja kryesonte me dhjetë të tilla, e pasuar nga Prizreni dhe Prishtina me nga gjashtë vrasje.
Se haraçi është bërë dukuri në Kosovë, tregon edhe rasti i para disa ditësh kur tre të rinj nga Klina të cilët kishin kërkuar haraç nga bashkëmoshatarët e tyre. Ata më pas u arrestuan nga Polica.
Sa i përket vrasjeve të fundit në Kosovë sidomos në rajonin e Prizrenit si shkak i fajdeve është mungesa e sundimit të ligjit, personat kompetent për zbatimin e ligjit nuk po munden të zbatojnë ligjin në mënyrë efikase.
Kështu tha për lajmi.net, njohësi i çështjeve të sigurisë, Skender Perteshi, i cili e fajësoi sistemin e drejtësisë për moszbatim të ligjit. Ai tha se niveli i vrasjeve ne Kosove nuk është nivel shqetësues sa po e bëjnë, pasi që në krahasim me shtetet rajonale, Kosova e ka numrin më të vogël të vrasjeve.
“Nëse e shikojmë prej vitit 99 deri në 2015 , atëherë në vitin 99 i kemi pasur mbi 200 vrasje ndërsa në vitin 2014 nuk kemi më shumë se 30 vrasje”, tha ai.
Por ai vlerëson se këtu kemi të bëjmë me dështimin e sistemit të drejtësisë, prokurorinë dhe sistemin gjyqësor, pasi që siç thotë ai, personat që janë të akuzuar për vepra të rënda penale, po lirohen nga sistemi gjyqësor dhe nuk po e marrin dënimin e merituar.
Madje thotë se polica e kryen punën e vet, por më pas është në duart e prokurorisë dhe sistemit gjyqësor.
Perteshi tha se këta të fundit po i gjykojnë keq rastet që po i marrin dhe të njëjtët persona më pas po kryejnë vrasje.
Për dështimin e sistemit të drejtësisë, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se drejtësia ka dështuar në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit.
Ai thotë se janë raste të rralla, në të cilat organet e ndjekjes, arrijnë të parandalojnë veprime të ndryshme kriminale.
Zhvillimi i veprimtarisë së fajdes, sipas Musliut, padyshim se prodhon vepra të tjera penale, të cilat në raste të caktuara përfundojnë me vrasje sikurse rastet e fundit.
“Mungesa e efikasitetit dhe efektivitetit në parandalimin dhe luftimin e këtyre krimeve ka bërë që individ të caktuar të mos e ndjejnë fuqinë e sistemit të drejtësisë dhe të njëjtit të ndihen mbi ligjin”, vlerëson ai.
Sipas tij, ka dështime të mëdha sidomos në rastet kur kemi të bëjmë më recidivistë apo përsëritësit e veprave penale, të cilët potencialisht janë të aftë të kryejnë veprat e ngjashme penale.
“Dështimi për të vlerësuar drejtë këto rreziqe shkakton pasoja të pariparueshme, ku këta individ recidivistë sërish kryejnë të njëjtat vepra penale dhe marrin jetët e qytetarëve”, ka thënë ai.