Agimi dhe Emiri, djemtë nga Hasanbegu, deri para vërshimeve të 6 gushtit kanë ndarë të vetmen shtëpi në të cilën të dytë kanë jetuar me familjet e tyre, raporton SHENJA.
Uji që vërshoi nga të gjitha anët atë natë, kësaj familje i mori gjithçka nga duart. Balta dhe era kundërmon gjithandej në shtëpinë e tyre, familjarët janë shpërndarë dhe po kalojnë netët nëpër vende të ndryshme. Hallin e djemve nuk e ndjen askush, meqë tash e dy javë institucionet nuk kanë arritur për t’i parë dëmet e tyre. Edhe pse shtëpia ishte e vjetër qysh nga paraardhësit e tyre, të paktën ka pasur kushte jetese, tashmë gjithçka është vërshuar në ujë e baltë dhe mbeturina.
”Shihet edhe vet se këtu s’ka më banim, është podrumi i rrezikshëm, muret janë shtrembëruar të tërat, këtu është e rrezikshme me u banu”, deklaroi Emir Salihi, banor.
Dy javë pas vërshimeve, zyrtarët shtetërorë nuk kanë arritur deri te kjo familje, e cila ka kërkuar ndihmë nga të gjitha institucionet. Brenga e Agimit dhe Emirit, që janë djem axhe, është mjaft e madhe, meqë rikthimi i familjes në një vend është mjaft i vështirë për ta.
“Për momentin jemi të shpërndarë nëpër familjarë, unë jam te motra, nana te motrat në Kosovë, edhe mixhallarët janë nëpër halla, po kshyrim një natë atje një natë diku. Njerëz privat ka pas shumë, kanë sjell ushqime , pije a diçka prej shteti nuk ka ”, tha më tej ai.
Agimi dhe Emiri përjetuan një ankth të madh gjatë asaj mbrëmjeje të kobshme, por ajo që pason i brengos edhe më djemtë të cilët janë të pazot për të arritur gjithçka vetëm.
Hava Tahiri /SHENJA/