Lideri i Kishës Katolike dhe Shtetit të Vatikanit Papa Françesku në datat 28-30 nëntor realizoi një vizitë zyrtare në Ankara dhe Stamboll. Qëllimi i kësaj vizite ishte pjesërisht diplomatik dhe pjesërisht fetar. Pjesa e vizitës në Ankara kishte peshë politike, kurse ajo në Stamboll kishte peshë fetare. Takimet që Papa pati në Ankara me Presidentin Erdoan dhe me Kryetarin e Entit të Çështjeve Fetare kishin si synim zhvillimin e marrëdhënieve Turqi-Vatikan. Papa dhe Erdoan deklaruan dëshirën për paqe ndërkombëtare dhe uruan për zgjidhjen e krizave rajonale si problemi i Sirisë dhe problemet humanitare.
Është e vështirë të thuash që këto urime dhe dëshira kanë një domethënie përtej retorikës diplomatike. Sepse Papa nuk është një aktor me ndikim që të zgjidhë as krizat ndërkombëtare në përgjithësi, dhe as problemet rajonale në veçanti. Sado që Papa është në pozicionin e kryetarit të shtetit të Vatikanit, ai nuk është i efektshëm dhe ndikues aq sa shtet-kombet dhe organizatat ndërkombëtare. Roli dhe ndikimi i Papatit dhe i institucioneve të tjera fetare në marrëdhëniet ndërkombëtare në procesin 400-vjeçar pothuajse nuk ekziston. Për shkak të sekularizmit apo parimit të laicizmit në kohët moderne institucionet fetare dhe autoriteti i tyre është zëvendësuar nga shtet-kombet, që janë aktorë politikë shumë herë më të fuqishëm. Në periudhën moderne institucionet fetare dhe aktiviteti i tyre kanë mbetur nën hijen e shteteve dhe marrëdhënieve ndërshtetërore.
Vatikani nuk është një shtet-komb me kufijtë e një vendi klasik, ai është si një qytet-shtet brenda shtetit të Italisë. Ashtu siç ka ndodhur edhe në Mesjetë nuk mund të thuhet që Vatikani të ketë pasur ndonjë ndikim dhe autoritet mbi aktorët e tjerë ndërkombëtarë. Sepse shteti i Vatikanit të Romës të gjithë autoritetin politik që ka pasur e humbi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Vestfalisë në shekullin e 17-të. Nga ana tjetër Kisha Ortodokse Greke e Fanarit në Stamboll dhe Patriku në bazë të Marrëveshjes së Lozanës është një institucion i varur nga sovraniteti i Republikës së Turqisë. Patriku i Fanarit edhe pse në aspektin fetar ka lidhje që i kalojnë kufijtë (e Turqisë) dhe gëzon një respekt, në aspektin politik ai nuk ka asnjë fuqi dhe kompetencë.
Vetëm se kjo nuk do të thotë që institucione fetare si papati dhe patrikana janë tërhequr tërësisht nga politika. Duhet pranuar që si Papati ashtu edhe Patrikana kanë ndikim mbi popujt dhe individët që u besojnë. Për shembull Shteti i Vatikanit nuk është vetëm institucioni i sektit katolik, njëkohësisht ai është edhe përfaqësuesi fetar i më shumë se 1 miliardë katolikë në botë.
Takimet e Papës në Stamboll u fokusuan në zhvillimin e marrëdhënieve ndërfetare dhe ndërsektare. Nga njëra anë kemi vizitën e Papës në vendet islame të Stambollit, lutja që bëri në Xhaminë Sulltanahmet (Xhamia Blu), dëgjimi i ajeteve kuranore nën shoqërimin e ezanit, veprime këto të rëndësishme në aspektin e zhvillimit të marrëdhënieve ndërfetare, kurse nga ana tjetër pjesëmarrja e kreut të Kishës Katolike në meshën e posaçme organizuar në Kishën Ortodokse, takimi me Bartholomeun, nënshkrimi i një deklarate ndërmjet kishave Katolike-Ortodokse ishin të rëndësishme në aspektin e unitetit ndërmjet besimtarëve të krishterë.
Mund të thuhet që qëllimi kryesor i vizitës së Papës në Stamboll, madje i gjithë vizitës 3-ditore që bëri në Turqi, ishte zhvillimi i marrëdhënieve me Kishën Ortodokse. Marrëdhëniet e Kishave Katolike dhe Ortodokse janë shkëputur që nga shkishërimi që të dyja kishat i kanë bërë njëra-tjetrës në vitin 1054. Rivendosja e marrëdhënieve ka filluar në vitet 1960 dhe Papa me Bartholomeos-in po përpiqen ti shndërrojnë ato në një aleancë. Qëllimi i deklaratës që u firmos në Stamboll është konsolidimi i marrëdhënieve institucionale dhe sociale ndërmjet botës katolike me rreth 1 miliardë besimtarë në botë dhe botës ortodokse që numëron rreth 300 milionë besimtarë. E parë në këtë aspekt duket pak e vështirë që të thuash që kemi të bëjmë me një veprim të thjeshtë fetar. Mund të thuhet se afrimi fetar Vatikan-Fanar (Patrikanë) të paktën ka ndikuar në kontekstin pozitiv dhe negativ pozicionin e dy shteteve, madje pjesërisht edhe i ka sfiduar.
E para nga këto është potenciali ndikues mbi Turqinë. Marrëveshja që nënshkroi Bartholomeos ashtu siç nuk ka ndonjë anë detyruese për Turqinë, ajo nuk duhet të përplaset as me interesat e saj (Turqisë). Këtu ekziston një kufi shumë i ndjeshëm ndërmjet fesë dhe pozitës së shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në qoftë se kjo marrëveshje e lidhur nga patriku ka thjesht vetëm përmbajtje fetare atëherë nuk ekziston ndonjë problem lidhur me shkeljen e kompetencën dhe autoritetit. Por në qoftë se kjo marrëveshje do të krijojë ndërhyrje ndaj interesave të Turqisë në një pikë të caktuar, sidomos në qoftë se pretendimet për eukumenizëm ndërrojnë pistë dhe kalojnë në fushën politike, atëherë marrëveshja do të shkaktonte komplikacione. Turqia nuk do që pretendimi për eukumenizëm si sjellë asaj ndonjë barrë apo ti shkaktojë ndonjë problem në politikën e saj të brendshme dhe të jashtme.
Me sa kuptohet deklarata nuk përbën ndonjë komplikacion të tillë. Nënshkrimi i deklaratës pas takimit Papa-Erdoan tregon që është marrë miratimi paraprak i Turqisë. Kjo e fundit në kontekstin e lirive fetare mbështet zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Patrikanës dhe Papatit. Madje mund të thuhet që një mbështetje e tillë do të forconte imazhin e Turqisë në botën katolike dhe ortodokse.
Dimensioni i dytë i deklaratës së bashkëpunimit ndërmjet kishave Katolike-Ortodokse ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Kishës së Fanarit në Stamboll dhe asaj të Moskës, dhe kjo është një çështje që i intereson pozicionit të Rusisë. Rivaliteti për dominim ndërmjet Kishave të Fanarit dhe Moskës intereson ortodoksët në Ballkan, Evropën Juglindore, Lindjen e Mesme dhe në Botë. Deklarata e Stambollit mund ti sjellë avantazh kishës së Fanarit në lidhje me pozitën që ka ajo në botën ortodokse, gjë kjo që mund të jetë burim shqetësimi për Moskën. Megjithëse në themel ky shqetësim i takon kishës së Moskës, nuk mund të thuhet se një zhvillim i tillë nuk i intereson administratës së Putinit. Dhe kjo e fundit intereson edhe marrëdhëniet politike Stamboll-Moskë.
Patjetër që nuk mund të thuhet se dimensioni fetar ka një ndikim shumë të madh në marrëdhëniet Turqi-Rusi. Vizita e Putinit në Turqi, menjëherë pas largimit të Papës është plotësisht rastësi, dhe qëllimi kryesor i vizitës së Putinit nuk ishte ana fetare, por takimet u fokusuan mbi temat ekonomike dhe politike. (TRT)
Nga Prof. Dr. Ramazan Gozen
Pedagog në Degën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”.