Feja kundër martesave gay: Dëmton e shkatërron familjen

Një ditë pas hapjes së debatit mes deputetëve të majtë e të djathtë në Shqiptarja.com për martesat mes homoseksualëve, komuniteti fetar është ngritur kundër miratimit të nenit 18 të Kushtetutës. Forumi Mysliman Shqiptar u ka dërguar një letër të 140 deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë ku kërkon të tërhiqen nga përfshirja në Kushtetutë të togfjalëshit “orientim seksual”

në nenin kundër diskriminimit. Ata kërkojnë të dëgjohen ne seancë para se paketa me ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi të miratohet nga Kuvendi. “Jemi kundër këtij ndryshimi kushtetues, i jemi drejtuar kryetarëve të grupeve parlamentare dhe deputetëve. Në thelb ne e shohim si shumë të dëmshme futjen e këtij togfjalëshi, pasi familja ka boll probleme.

Ndryshimi i kushtetutës në këtë nen është një problem shtesë për familjet shqiptare. Lëvizjet tona do të vijojnë për të kundërshtuar këtë nen, nëse do të ketë miratim të këtij neni, do e rrëzojmë me lëvizjet juridike. Referendum për hedhjen poshtë të këtij neni do i propozojmë qytetarëve shqiptar”,-tha një nga përfaqësuesit e Forumit Mysliman, Roal Hysa. Propozimi i amendimin të nenit 18 të Kushtetutës, në të cilin është futur për herë të parë ndalimi i diskriminimit për shkak të “orientimit seksual” dhe “identitetit gjinor” ka sjellë reagimin e myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari i cili thotë se ky nen çon drejt shthurjes së familjes. “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe komunitet e tjera fetare janë shprehur hapur kundër këtij projektligji, i cili në thelb cenon sensin e familjes, cenon dinjitetin e familjes njerëzore.

Zoti e ka krijuar familjen si një marrëdhënie burrë dhe grua. Çdo tentativë tjetër për të dalë jashtë këtij vullneti hyjnor, është një tentativë drejt shthurjes morale. Në këtë pikë, ne duhet të bashkëpunojmë fuqishëm në thirrjet tona për mos shkeljen e tabanit kombëtar të familjes. Abuzimi në këtë pikë nuk duhet të kalojë dhe nuk duhet të miratohet nga asnjë forcë politike.

Ne i respektojmë, por njeriu duhet të jetojë me dinjitet, me integritet dhe disa çështje që janë të shenjta dhe janë kufij nuk duhen toleruar dhe nuk duhen prekur për asnjë arsye në botë. As për Bashkimin Evropian, as për integrimin evropian, e as për një politikë tjetër”,-tha myfti Sytari. Pikërisht kjo shtesë nën nenin 18 të Kushtetutës që po kalon bashkë me reformën në, i jep të drejtë komunitetit LGBT të kërkojë ndryshim në Kodin e Familjes e më tej liberalizimin e martesave mes këtij komuniteti.

“Shqiptarja.com” botoi dje reagimet kundër të një grupimi deputetësh për këtë nen. “Pionerët” e kësaj qasjeje janë deputetët Mesila Doda e Genc Ruli. Doda flet në emër të grupit parlamentar të PDIU-së, duke thënë se nuk do të votojnë një nen kundër familjes. Ajo shprehet se një nen i tillë vendos në rrezik vetë reformën në drejtësi. Genc Ruli, i cili i ka ngritur këto shqetësime edhe në grupin parlamentar të PD-së, është kundër kësaj ndërhyrjeje, sikundërse i mëshon faktit se ndërkombëtarët nuk mund të kenë akses kaq të fortë në kushtetutëbërjen tonë.

Edhe kolegu i tij, Luçiano Boçi thotë se ky nen nuk mund të votohet pasi nuk ka lidhje me objektin e reformës: drejtësinë. Për opozitarin Dashamir Shehi, i cili shpreh votën kundër, legalizimi i këtyre martesave është i parakohshëm për një vend që ka një qasje të ngurtë për seksin. Deputetë të tjerë, si Albina Deda, Mimoza Hajdarmataj e Namik Kopliku shprehen kundër nenit 18, pasi cenon thelbin e familjes. Në një qasje të ngjashme, edhe Fatmir Toçi, thotë se e sheh të parakohshme dhe të vështirë adoptimin e fëmijëve si pjesë e këtyre familjeve.

Nga radhët e LSI-së, Vangjel Tavo shprehet se ky nuk është halli më i madh i shqiptarëve, por votën do ta shohë kur të vijë koha, teksa Ylli Shehu shprehet kategorikisht kundër këtij neni. Nuk janë gati ta votojnë këtë nen as Mirela Ferracaku, deputete PDK-së, dhe Dashamir Tahiri, deputet i pavarur i opozitës. Më liberal duket në qasje Anduel Xhindi, deputet i PS-së, i cili, mbase edhe për hir të moshës së tij të re është më liberal dhe mendje hapur për këtë çështje, duke deklaruar votën “pro”.

Letra
Forumi Mysliman Shqiptar u ka dërguar një letër të 140 deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë ku kërkon të tërhiqen nga përfshirja në Kushtetutë të togfjalëshit “orientim seksual” në nenin kundër diskriminimit.

Myftiu
“Cenon dinjitetin e familjes njerëzore. Zoti e ka krijuar familjen si një marrëdhënie burrë dhe grua. Çdo tentativë tjetër për të dalë jashtë këtij vullneti hyjnor, është një tentativë drejt shthurjes morale”.

 

233837

Artikulli paraprakDodë Gjergji krenohet se ka ndërtuar kishë midis 40 fshatrave myslimane
Artikulli vijuesXhamia e Madhe e Durrësit dhe përplasja me Bashkinë