Komuna e Çairit uzurpon zyrat e Klubit Elita

Shoqata Qytetare “Klubi Elita” – Shkup reagon ashpër për qasjen e dhunshme e brutale të zyrtarëve të Komunës së Çairit, të prirë nga Rami Qerimi dhe Ejup Ademi – të urdhëruar nga Izet Mexhiti, si dhe me asistencë të zyrtarit të lartë të policisë, Driton Memeti, të cilët sot (e enjte – 05.02.2015) pa asnjë arsyetim juridik, duke i shkelë të gjitha marrëveshjet që vetë kryetari i Komunës së Çairit i ka nënshkruar me Klubin Elita, kanë ndërhyrë duke e uzurpuar objektin publik që tash është në shfrytëzim nga Klubit Elita. 

 

Megjithëse në bazë të dokumentacionit dhe marrëveshjeve me Komunën e Çairit shihet qartë se Klubi Elita ka të drejtë që deri më 01.05.2017 ta shfrytëzojë objektin në fjalë, ndërsa për çdo mosmarrëveshje eventuale kompetenete është Gjykata e Shkupit, përsëri në mënyrë të dhunshme dhe, aq më shumë, në prani të policisë, ata i thyen me forcë drynat dhe kështu dhunshëm e morën në dorë objektin që ligjërisht i përket shoqatës “Klubi Elita”.

 

Duke u ndjerë plotësisht të pambrojtur nga këta dhunues të rendit dhe të pronës publike, por edhe nga ata që e kanë për obligim të kujdesen për rendin dhe sigurinë publike – në këtë rast policia, shpresa e fundit ka ngelur te organet më të larta të drejtësisë dhe sigurisë. Nëse as ata nuk ndërmarrin asgjë, atëherë e vetmja mbrojtje do të mbetet OSBE-ja dhe faktori tjetër ndërkombëtar, sepse në këso kushte të diktaturës kemi drojë edhe për sigurinë tonë personale dhe të familjeve tona. Madje, pas kërcënimeve personale që sot i kemi marrë për jetën e aktivistëve tanë, kemi drojë serioze se çfarë mund të ndodhë ditëve në vijim.

 

Pas kësaj nuk na ka mbetur asgjë, pos të konstatojmë se Komuna e Çairit tashmë është bërë një vend i rrezikshëm për sigurinë e qytetarëve, një çerdhe e vagabondëve të veshur me petk zyrtar, të cilët i uzurpojnë detyrat zyrtare për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe në veçanti ndaj sektorit civil, që është vlerë e secilës shoqëri demokratike, por jo edhe për komunën tashmë staliniste të Çairit. 

 

Dëshmi për këtë dhunë janë edhe fotot dhe video-materialet vijuese, që e ilustrojnë më së miri këtë ndërhyrje, thuhet në fund të reagimit të Klubit Elita.

 

Ndërsa në reagimin e saj zyrtar, Komuna e Çairit deklaron:

Komuna e Çairit ka folur lidhur me incidentin e sotëm të ndodhur në objektin e Klubit Elita.

 

Almakos më poshtë ua sjell të plotë komunikatën e Komunës së Çairit:

 

Komuna e Çairit, në përputhje me interesin publik, ka rikthyer në posedim lokalet që iu dhanë në shfrytëzim Organizatës Joqeveritare “Klubi Elita”, që prej vitit 2007.

 

Objekti është rimarrë sot nga Komuna dhe u kthehet sërish qytetarëve të Çairit, duke ndaluar në këtë mënyrë keqpërdorimin e pronës publike për qëllime private dhe partiake nga krerët e OJQ “Klubi Elita”.

 

Është detyrë e Komunës së Çairit, në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutën, që të mbrojë pa kusht pronën dhe interesin publik nga keqpërdorimi dhe tjetërsimi i tyre nga individë privatë për qëllime po kështu private dhe, për më keq, për qëllime partiake.

 

Rrjetet sociale janë përplot me fotografi nga takimet politike zhvilluar në këto lokale, të cilat sipas marrëveshjes me shoqatën në fjalë, duhej të shërbenin për aktivitete qytetare dhe jo si seli alternative të partive politike.

 

Komuna e Çairit i cilëson akuzat e kësaj organizate si tentativë e krerëve të saj për promovim politik dhe personal, ndaj dhe nuk pranon të përfshihet në polemika politike që u shërbejnë për afirmim individëve të caktuar, aq më pak për gjëra të pakompromista, siç është në këtë rast interesi publik i qytetarëve të Çairit.

 

Komuna e Çairit rikonfirmon në të njëjtën kohë mbështetjen e saj për sektorin civil dhe është përherë e gatshme që t’i dalë në ndihmë me resurset që posedon çdo veprimtarie qytetare në interes publik. 

Artikulli paraprakA kanë marre ata politikan që krekosen me taksat e qytetarëve që nga skamja migrojnë…
Artikulli vijuesI riu pa Prespektivë!