Me arsyetimin se një fëmijë nuk kishte shanse për të mbijetuar pavarësisht nga lloji i mjekimit, një doktor në QKUK ka refuzuar t’ia mundësojë trajtimin jashtë vendit.
Një fëmije që vuan nga një sëmundje e rëndë, i është mohuar trajtimi jashtë vendit nga një mjek në sistemin publik të shëndetësisë në Kosovë, me arsyetimin se sëmundja e tij ishte e pashërueshme dhe se nuk kishte shanse për të mbijetuar në çdo rast.
Gjithashtu, kërkesat e përsëritura ndaj mjekut, nga një sërë institucionesh dhe pozita drejtuese për të rishikuar qëndrimin e tij, kanë marrë përgjigje negative.
Vetëm pas reagimeve nga disa institucione, përfshirë edhe interesin për këtë rast, fëmija ka marrë dritën e gjelbër për t’u trajtuar jashtë vendit pas disa muajsh.
Një prind i cili e ka fëmijën sëmurë dhe e ka dërguar për trajtim në QKUK thotë se është përballur me sëmundjen e fëmijës dhe mostrajtimin e saj në mënyrë profesionale.
Prindi i njohur për redaksinë e Gazetës Jeta Në Kosovë, i cili nuk do të paraqitet publikisht për shkak të ndjeshmërisë së sëmundjes që ka fëmija i tij, thotë se në Klinikën e Pediatrisë nuk i kanë dhënë shërbimin e nevojshëm.
Sipas prindit, mjeku Ramush Bejiqi nuk i ka dhënë një raport për trajtim mjekësor jashtë vendit, përkundër sëmundjes së rëndë që ka fëmija.
Përveç që nuk i është dhënë një raport i tillë, ai thotë se fëmija për një kohë të gjatë ka qenë në shtëpi pa përkujdesje mjekësore sepse trajtimi i një sëmundjeje të tillë nuk bëhet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.
Pasi që këtë problem nuk e zgjidhi me vetë mjekun Bejiqi, prindi iu drejtua organeve të tjera relevante, prej drejtorit të SHSKUK-së, Curr Gjocaj, Ministrisë së Shëndetësisë e deri te Zyra për Ankesa të Pacientëve në QKUK.
Besim Kodra, drejtues i Zyrës për Ankesa të Pacientëve, tha për Gazetën JNK se refuzimi i mjekut ishte i pajustifikuar dhe se bazohej mbi opinion se fëmija do të vdiste në secilin rast.
Sipas Kodrës, mjeku Bejiqi që e kishte trajtuar fëmijën, nuk dëshironte ta lëshonte një vërtetim të tillë edhe pas ndërhyrjeve të drejtorit të Klinikës së Pediatrisë, drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, madje edhe ministrit të Shëndetësisë.
“Arsyet që i kishte dhënë ky mjek prindit, pa dyshim që për të ishin banale se fëmija nuk do të mbijetonte edhe pas trajtimit dhe se ju keni intervenuar tek Ministri i Shëndetësisë, dhe unë dua të heqë dorë nga ky rast”, tha Kodra.
Ai tha se zyra për ankesa pas konsultimeve dhe shqyrtimit të shkresave i ishte drejtuar drejtorit të Klinikës së Pediatrisë me një letër.
“Ne nuk dëshirojmë që të interferojmë në punën tuaj profesionale. Nëse fëmija ka trajtim në Kosovë, trajtojeni sa më shpejt, nëse jo, lejojeni atë që të shkojë dhe të kërkojë shërim diku tjetër, kjo duke u thirrur në nenin 11 të Kartës së të Drejtave të Pacientëve ku thuhet: “Pacienti ka të drejtë të mos durojë vuajtje dhe dhembje të panevojshme”, thuhet në letër.
Kodra thotë se drejtori i kësaj klinike, Muharrem Avdiu, në praninë e tyre e kishte thirrur dhe e kishte lutur mjekun Beiqi që ta lëshonte këtë dokument, pro ky i fundit kishte refuzuar sërish.
“Drejtori i klinikës pastaj na tha që edhe po të mos e lëshonte dr. Bejiqi këtë dokument, kam për ta bërë unë”, tha Kodra.
I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ramush Bejiqi, nuk pranoi të flasë për rastin me arsyetimin se ai nuk ka leje për ta bërë një gjë të tillë nga eprori i tij Curr Gjocaj.
“Nuk muj me dhanë informata pa vendimin e drejtorit”, tha Bejiqi.
Gazeta JNK i ka drejtuar një email zyrës për media të QKUK-së me kërkesë që t’i mundësohet intervistimi i dr. Bejiqit por nuk ka marre përgjigje.
A u shkel betimi i Hipokratit?
Gazeta JNK ka siguruar një email komunikimi në mes të drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, dhe Ramush Bejiqit, në të cilin Gjocaj i drejtohet Bejiqit me këto fjalë:
“Nuk e di se përse është e vështirë të kuptohet fakti apo të jeni ndonjëherë pjesë, apo të mendoni të jeni në mendjen dhe shpirtin e prindit”.
I indinjuar me gjithë këtë situatë dhe i prekur me rastin, Gjocaj vazhdon shkrimin e tij edhe më tutje duke e kritikuar Bejiqin.
“Me keqardhje më duhet të konstatoj (me aq sa kam informata për rastin) se është dëshpërues qëndrimi juaj i thënë edhe përmes një grupi se ju nuk mund apo kërkoni të liroheni nga ndjekja e këtij rasti, kërkohet të liroheni nga mbikëqyrja e pacientit në vend që rastin ta marrim në mbikëqyrje të vazhdueshme”, thotë Gjocaj në letrën e tij.
Gjocaj e akuzon Bejiqin për shkelje etiko-profesionale.
“I nderuar doktor mund të thoni me dhjetëra e dhjetëra arsyetime, të gjitha mund të jenë të arsyeshme të bazuara në analiza e fakte shkencore e shumë çka tjetër, por më duhet t’ju them se në rastin në fjalë rrezikoni të humbni shpirtin human, betimin e Hipokratit dhe pavarësisht të drejtës tuaj të bëni shkelje të kodit etiko-profesional”, vazhdon Gjocaj në letrën e tij.
Ndërsa Bejiqi, në letrën e tij dërguar drejtorit Gjocaj, ministrit të Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe drejtorit të Klinikës së Pediatrisë Muharrem Avdiu, thotë se një numër i vogël i fëmijëve kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.
“Unë nuk shkruaj asnjë dokument në të ardhmen duke dhënë dorëheqje nga posti i shefit të shërbimit dhe në mënyrë të lehtë t’u shmangem problemeve. Të nderuar, jam i mendimit se duhet të bëhet diçka krejt për qëllim të mirë, ofrimi i ndihmës sa më të mirë për pacientët dhe mbrojtja e tyre edhe mbrojtja jonë”, thotë Bejiqi në letrën e tij.
“Unë personalisht nuk dua të punoj më në këtë sistem për shkak se që 15 vite jam udhëhequr me arsye profesionale duke bërë në njërën anë që Shërbimi i Kardiologjisë Pediatrike sot të jetë në nivel evropian, dhe në anën tjetër të nënshkruaj vetëm dokumentin (për rastin) i cili nuk mund të trajtohet në Kosovë”, shkruan Bejiqi.
Me këtë rast është marrë edhe Inspektoriati Shëndetësor. Zyra e kryeinspektores Ardita Baraku tha për Gazetën JNK se gjatë muajit korrik është bërë inspektimin specifik në Klinikën e Pediatrisë.
“Gjatë takimi me Drejtorin e Klinikës së Pediatrisë, si dhe kontakteve përmes telefonit të zhvilluar me prindin e pacientit, rasti është mbyllur me mirëkuptim. Klinika e Pediatrisë ka lëshuar raportin mjekësor nga konsiliumi mjekësor me mendimin që pacienti në fjalë duhet të trajtohet në një institucionit tjetër jashtë institucioneve publike shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e inspektoriatit.
Sipas Inspektoriatit lënda tani më është dërguar në zyrën për trajtim jashtë vendi në Ministri të Shëndetësisë.
Drejtori i SHSKUK-së, i pyetur për këtë komunikim përmes zyrës së informimit, u përgjigj shkurt.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ju bën me dije se drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, në vazhdimësi kontakton me menaxherë të institucioneve shëndetësore, por edhe me profesionistë shëndetësorë, e tërë kjo me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të punës në institucionet shëndetësore në varësi të SHSKUK”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Besim Kodra, nga Zyra e Ankesave për Pacientë, thotë se pas shumë përpjekjeve, pacienti e ka marrë këtë raport dhe ka shkuar jashtë vendit për të kërkuar trajtim për sëmundjen.
Kodra tha se raste të tilla ka shumë, por jo gjithmonë pacientët dinë t’i drejtohen zyrës së ankesave apo mediave.
“Shumë herë ata janë zvarritur, madje edhe nuk kanë mundur të marrin një dokument të tillë. Raste të tilla ne kemi pasur edhe në të kaluarën, të cilat janë zgjidhur”, tha ai.