Për shtatë dekada me radhë, Ferrari i ka kënaqur entuziastët dhe dashamirësit e makinave. Për të shënuar këtë përvjetor të veçantë, po përgatitet një befasi tjetër.
Në këtë përvjetor, do të lansohen 350 makina të përpunuara në mënyrë unike, që do të zgjidhen nga prodhimet e mëparshme.
Planet për prodhimin e kësaj sasie të limituar, janë bërë publike gjatë një takimi të pronarëve dhe përkrahësve të makinave Ferrari, transmeton Telegrafi.
“Ekipi i ka shikuar të gjitha veturat, që nga prodhimet e para, dhe janë përpjekur të gjejnë modelet më ikonike për t’i vënë sërish në prodhim”, ka thënë Enrico Galliera, që është drejtues i marketingut dhe reklamave.
Nuk bëhet e ditur data e lansimit, kur kompania italiane do t’i zbulojë makinat më të popullarizuara dhe më influencuese gjatë historisë.
Megjithatë, në Paris Auto Show që zhvillohet gjatë muajit tetor, mund të shihet diçka nga koleksioni unik.