“FETO ushtron presion ndaj mediumeve që publikojnë të vërtetën në Kosovë”

0
409

Kjo organizatë së fundmi ka hapur padi për dëmshpërblim ndaj televizionit lokal të Prizrenit, BESA, për arsye se ky i fundit ka transmetuar lajme në lidhje me Institucionet Arsimore Gylistan

PRIZREN (AA) – Organizata Terroriste FETO e cila i vazhdon edhe më tej aktivitetet e saj në Kosovë përmes Institucioneve Arsimore Gylistan dhe Fondacionit për Arsim dhe Kulturë Atmosfera, është duke bërë përpjekje të metodave të ndryshme për të marrë nën ndikim organizatat mediatike në vend.

Kjo organizatë së fundmi ka hapur padi për dëmshpërblim ndaj televizionit lokal të Prizrenit, BESA, për arsye se ky i fundit ka transmetuar lajme në lidhje me Institucionet Arsimore Gylistan.

Drejtori i Televizionit Besa, Mamer Fusha, duke folur për Anadolu Agency (AA), u shpreh se para disa ditëve janë paralajmëruar nga Institucionet Arsimore Gylistan që kanë lidhje me Organizatën Terroriste FETO me arsyetimin se kanë prodhuar “lajme të anshme dhe të pavërteta”, dhe më pas janë paditur në gjykatë.

Fusha u shpreh se të gjitha lajmet e transmetuara nga Televizioni Besa bazohen në të vërtetën dhe se për këtë i posedojnë dokumentet e nevojshme. Sipas tij, kjo padi në fakt nuk është bërë vetëm ndaj Televizionit Besa, por si kërcënim ndaj të gjitha mediumeve që transmetojnë lajme kundër Organizatës Terroriste FETO dhe mediumeve që nuk prodhojnë lajme kundër Turqisë.

“Të gjitha lajmet e publikuara në Televizionin Besa janë të vërteta dhe nuk sulmojmë askënd. Organizata FETO dëshiron që Turqinë ta paraqesë si një shtet që ushtron presion ndaj mediumeve dhe të krijojë një perceptim të këtillë, megjithatë, janë pikërisht ata që ushtrojnë presion. Kjo organizatë përpiqet të ushtrojë presion ndaj mediumeve që i shpalosin të vërtetat në Kosovë dhe Turqi”, tha Fusha.

Duke folur për përmbajtjen e lajmeve në fjalë, Fusha tha se lajmi i parë kishte të bëjë me atë që Turqia nuk do t’i pranojë diplomat e nxënësve që vijojnë mësimet në shkollat e FETO-s, që do të thotë se këta nxënës nuk do të mund ta vazhdojnë shkollimin në Turqi.

Fusha shtoi se Institucionet Arsimore Gylistan janë të lidhura haptazi me FETO-n. Siç tha ai, në lajmin e transmetuar vetëm se kanë bërë të ditur se nxënësit që mësojnë në këto shkolla nuk do të mund të vazhdojnë me mësime në Turqi. Ai tha se të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se janë paditur në gjyq nga lëvizja e Fetullah Gylenit, FETO, vetëm pse e kanë shpalosur këtë informacion.

Në lidhje me lajmin e dytë që u bë shkak i akuzave, Fusha theksoi ai ka të bëjë me atë që në një lajm të transmetuar në Televizionin Besa, organizata në fjalë ishte emëruar me shprehjen “Sekti Gylen”. “Ata me të vërtetë janë një sekt, sepse ata nuk janë as fe, as parti politike. Ata janë një sekt që është formuar për interesat e këtij grupi”, vazhdoi Fusha.

Presion ndaj familjeve dhe nxënësve 

Ndërkaq, duke folur në lidhje me lajmin e tretë për të cilin Televizioni Besa u akuzua se ka prodhuar informacione të pavërteta, Fusha tha se shumë familje kanë dashur t’i largojnë fëmijët e tyre nga shkollat e kësaj organizate, megjithatë, siç vazhdoi ai, ata nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë sepse janë penguar nga “disa persona të caktuar”. Po ashtu, Fusha shtoi se familjet që i kanë çregjistruar fëmijët e tyre nga këto shkolla kanë dashur t’i regjistrojnë ata në shkolla të tjera, veçanërisht në shkolla shtetërore, megjithatë, ata janë ballafaquar me probleme dhe nuk kanë mundur t’i regjistrojnë fëmijët me arsyetimin se kanë ngelur vonë ose se nuk ka vend në shkolla.

Siç tha Fusha, megjithëse shkollat shtetërore janë të detyruara t’i pranojnë këta nxënës, ato nuk e kanë bërë një gjë të tillë për arsye se disa drejtorë dhe mësimdhënës të shkollave kanë bashkëpunim me Institucionet Arsimore të Gylenit.

Fusha tha se sipas hulumtimeve që i kanë bërë, shumica e nxënësve që mësojnë në këto shkolla nuk dëshirojnë tutje ta vazhdojnë procesin mësimor aty, duke shtuar se disa prej tyre kanë qenë të detyruar t’i vazhdojnë mësimet aty ku janë.

Për këtë arsye, sipas Fushës, drejtoritë e Institucioneve Arsimore Gylistan kanë shkaktuar probleme të ndryshme. “Sipas të dhënave që i kemi siguruar, Drejtoritë e Institucioneve Arsimore Gylistan, kanë ushtruar presion duke u thënë familjeve të fëmijëve se nuk do t’ua kthejnë mbrapa paratë e regjistrimit dhe dokumentet e nevojshme për regjistrim. Këtë presion e ushtruan vetëm e vetëm që nxënësit të mos largohen nga shkollat e Gylenit, sepse ka numër të madh të nxënësve që veçmë janë larguar. Duke u ballafaquar me kërkesa çdo ditë e më të shumta për çregjistrim dhe me rrezikun e mbylljes së këtyre shkollave, drejtoritë e institucioneve Gylistan u thonë fëmijëve: ‘Fëmijët nuk do të mund ta vazhdojnë shkollimin në Turqi vetëm për një kohë të shkurtër, pas një kohe të shkurtër ata do të mund ta bëjnë një gjë të tillë’”, u shpreh Fusha.

Fusha theksoi se familjet janë shprehur se kjo gjë nuk është e vërtetë, megjithatë, sipas tij, ata thonë se nuk u janë kthyer paratë dhe se janë të detyruar t’i mbajnë fëmijë në këto shkolla pasi që nuk kanë mundur t’i regjistrojnë nëpër shkollat shtetërore. Ai u shpreh se ky problem mund të zgjidhet nëse Ministria e Arsimit e Kosovës hap paralele të reja, duke shtuar se kjo nuk po realizohet për shkak të disa interesave të disa individëve.

“Do ta fitojmë këtë proces gjyqësor”

Duke u shprehur se organizata FETO është aktive në fusha të ndryshme në Kosovë përmes disa organizatave arsimore, civile dhe tregtare, Fusha tha se Kosova ende nuk e ka kuptuar seriozitetin e politikave të kësaj organizate për t’u infiltruar në strukturat shtetërore të shteteve të ndryshme. Krahas kësaj, Fusha tregoi se fëmijët e disa politikanëve të shtetit të Kosovës mësojnë në shkollat e kësaj organizate me bursa.

Po ashtu, Fusha tha se organizata FETO ka nën ndikim edhe disa mediume në Kosovë, gjë e cila, siç tha ai, është arritur duke u siguruar mbështetje financiare ose duke ua shkolluar fëmijët në shkollat e tyre. Si rezultat i kësaj, Fusha tha se nga disa mediume janë transmetuar lajme që demonizojnë Turqinë.

Ndërkaq, Fusha tha se mediumet që kanë bërë të kundërtën, siç është Televizioni Besa, janë përballur me akuza nga kjo organizatë. “Lajmet që i kemi bërë ne bazohen në të vërtetën dhe të gjitha i posedojmë ende. Në paralajmërimin që na e dërguan, ata kërkuan që të shprehemi se lajmet në fjalë janë gënjeshtra dhe ta mohojmë të vërtetën, megjithatë, ne nuk i mohuam sepse të gjitha këto lajme janë të vërteta”, vuri në pah Fusha.

Ai më tej shtoi se gjatë seancës gjyqësore do t’i prezantojnë të gjitha provat dhe dokumentet që i posedojnë. “Na u kërkua që të kërkojmë falje nga ta, por ne nuk do ta bëjmë. Në fakt, janë ata që duhet të kërkojnë falje për tradhtinë që ia bënë vendit të tyre”, vazhdoi Fusha.

Në fund, Fusha tha se besojnë plotësisht se do ta fitojnë këtë proces gjyqësor. Ai u shpreh se gjykatën do ta njoftojnë se sipas dokumenteve nga Turqia organizata FETO qëndron pas tentativës për grusht shteti në Turqi dhe se ajo është shpallur organizatë terroriste.