Qeveria e re: Vuçiq zbaton urdhrat e Putinit, mban dy ministrat kyç filorusë

Aleksandër Vuçiq nuk ka rezistuar, ashtu siç pritnin qarqet liberale në Serbi apo kancelaritë perëndimore.

Kryeministri serb ka mbajtur sërish në kabinetin qeveritar dy zyrtarët e kërkuar me ngulm nga Moska, e që janë Ivica Daçiq, i cili ruajti postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe atë të ministrit të Jashtëm, dhe Aleksandër Antiq, i cili është sërish në të njëjtin post, në atë të ministrit të Energjisë dhe Minierave.

Si Daçiq, ashtu edhe Antiq, janë pjesë e Partisë Socialiste Serbe, apo, ndryshe, të ish-partisë së Sllobodan Milosheviqit, e cila ka raporte të ngushta dhe të sigurta me Rusinë.

Për Moskën, si posti i Daçiqit, që koordinon diplomacinë sipas direktivave ruse, ashtu edhe i Antiqit, i cili do të vendosë për gazsjellësat, ishin të panegociueshëm.

Menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 24 prillit, kryeministri serb ka fluturuar në Moskë, ku është takuar në një vizitë “private” me presidentin rus Vladimir Putin.

Gazeta pranë opozitës serbe, Danas, thekson në numrin e sotëm se kabineti i ri i Vuçiqit është njëqverisas “përzierje interesash klienteliste dhe loje politike”.

Ndërkohë, mediat e tjera serbe, që janë kryesisht tabloide, i kanë kushtuar vëmendje emërimit të një anëtareje të LGBT-së si ministre e Administratës.

Nuk ndodhi ajo që u përfol prej kohësh, pra, emërimi i një shqiptari në qeveri, por kjo mund të kuptohet me fitoren e linjës filoruse dhe jo asaj properëndimore.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i opozitës. Gjorgje Vukadinoviq i ka cilësuar një “farsë postzgjedhore” emërimet dhe negociatat për qeverinë e re.

Deputeti i forcës politike të qendrës së djathtë thekson në një intervistë për Blic se Vuçiqi nuk ishte në gjendje të krijonte një kabinet 100 ditë pas zgjedhjeve, pasi në fund iu dorëzua shantazhit të qarqeve më të forta se institucionet demokratike në Serbi. /tesheshi

Artikulli paraprakKosova mund të humb 100 milionë euro
Artikulli vijuesFamilja e nxënësit musliman të “orës bombë”, ngre padi ndaj shkollës në Texas