Fillon ndërtimi i xhamisë shqiptare në Grenchen të Zvicrës

Vetëm katër ditë para se t`i dilte afati i lejes për ndërtim, në Grenchen të Kantonit Solothurn të Zvicrës ka nisur sot ndërtimi i xhamisë së bashkësisë së këtushme islame shqiptare. Kjo xhami është bërë e njohur për disa probleme që ka pasur lidhur me lejen e ndërtimit, e cila i ishte anuluar dhe sërish i është dhënë.

Ndërtimi i kësaj xhamie, të emërtuar edhe si Qendër Kulturore, kushton dy milionë franga.

Siç shkruajnë mediat zvicerane, mbikëqyrës i punës së ndërtimit të kësaj xhamie është Bashkësia Islame Shqiptare

“Jemi të kënaqur që në momentin e fundit gjithçka ka funksionuar mirë”, ka thënë Isa Ismaili, anëtari i kryesisë së shoqatës në fjalë për radion SRF, transmeton Albinfo.

Qyteti Grenchen e kishte kushtëzuar lejen e zgjatur për një vit për ndërtimin e xhamisë me dëshminë për financimin e saj. Administrata e qytetit pastaj kishte kërkuar edhe përmirësime të planit për furnizimin me energji, etj.

Punimet për ndërtimin e xhamisë-qendër kulturore pritet të zgjasin 18 muaj. Xhamia sipas planit do të jetë e lartë tetë metra dhe do të ketë vend për 200 persona.

Sipas bashkësisë islame, paratë janë grumbulluar nga donacionet.

Xhamia po ndërtohet në një truall në zonën industriale e cila deri në vitin 2009 i kishte takuar një politikani lokal të SVP-së. Ai ia kishte shitur atë një pronari garazhi nga Bellach-Solothurn, i cili pastaj ia kishte shitur atë bashkësisë islamike shqiptare.

Trualli i xhamisë qe bërë i njohur kur në të ishin hedhur një derr i ngordhur dhe katër koka derri. Kjo kishte shkaktuar reagime të ndryshme brenda bashkësisë islame, besimtarëve dhe qytetarëve në regjion e më gjerë.

Artikulli paraprak“Keq që u rrëzua Millosheviqi – falë tij e mbajtëm Kosovën”
Artikulli vijuesRaporti i FH për Kosovën: Vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara