Raporti i FH për Kosovën: Vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara

Raporti i Freedom House për Vendet në Tranzicion, arrin në përfundimin se Ballkani, që dikur ishte një rajon që ngjallte shumë shpresa për reforma në Evropë, ka rënë në nivelin e vitit 2004. Dilema për këtë rajon është sesi të nxiten reformat dhe njëkohësisht të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE.

Sipas raportit, siç raporton VOA, që merr në shqyrtim 29 vende të Ballkanit, Euroazisë dhe Azisë Qendrore, tema e përgjithshme është stagnimi dhe kjo falë prirjeve autoritare të udhëheqësve, rivalitetit politik, korrupsionit dhe strukturave jo-funksionale institucionale.

Kosova ka shënuar një përparim të lehtë nga 5.14 në 5.07, falë përmirësimeve në median e pavarur dhe qeverisjen lokale. Megjithatë vendi vazhdon të jetë mes regjimeve autoritare gjysmë të konsoliduara. Në raport thuhet se ritmi i konsolidimit demokratik ishte i ngadaltë për vitin 2015.

Drejtori i Projektit, Nate Schenkkan beson se ka një hendek mes asaj që do popullata ose që mendon se duhet të marrë përmes shtetformimit dhe marrëdhënies me Evropën dhe perëndimin dhe asaj që po merr në fakt.

“Kjo qeveri ka një shumicë të gjerë në parlament e megjithatë politikat që po ndjek duket se nuk janë aspak popullore, jo vetëm me një opozitë mjaft radikale si Vetëvendosja por jo popullore në masë të gjerë me popullsinë dhe kjo është problematike në një demokraci, që një shumicë e gjerë parlamentare miraton ndryshime para se popullata të dojë që ato të bëhen”.

Schenkkan thekson se kjo nuk do të thotë që ndryshimet janë të gabuara, apo që politikat janë të gabuara, por se mënyra se si i ka paraqitur qeveria nuk ka qenë efektive.

Në raport përshkruhet një dinamikë ku shumica që u krijua pas zgjedhjeve kishte një përqindje mbështetjeje të ulët dhe ndoqi një program legjislativ të debatueshëm dhe opozita përdori mjete jashtë instrumenteve politike deri në përdorimin e gazit lotsjellës në parlament.

Pakënaqësia sipas Schenkkan ka edhe arsye të tjera.

“Këtë do ta lidhja edhe me padurimin që populli i Kosovës ndjen për integrimin në Bashkimin Evropian, pamundësinë për të patur liberalizimin e vizave dhe me ndjesinë se Serbia po përfiton më shumë nga dialogu sesa Kosova, përsa i takon objektivave kombëtare, prandaj është problem jo vetëm për Kosovën por edhe për komunitetin ndërkombëtar që e ka mbështetur Kosovën fuqishëm”.

Ai thotë se është një problem i vërtetë që popullsia nuk mendon se po merr atë që meriton nga marrëveshja me Serbinë dhe qeveria duhet ta kishte sqaruar më mire situatën.

Përsa i takon prirjeve të demokracisë në raport theksohet fakti i mbizotërimit të udhëheqësve të pasfiduar në grupime të ndryshme politike. Po ashtu korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur megjithë disa përmirësime të lehta në gjyqësor.

Raporti nuk përfshin ngjarjet e vitit 2016 dhe rrjedhimisht vetëm parashikon që Hashim Thaçi do të zgjidhej në postin e presidentit siç edhe ndodhi, por thotë se opozita si edhe një pjesë e mirë e elitës së shoqërisë, përfshirë median dhe shoqërinë civile, ishin kundër zgjedhjes së tij, për shkak të korrupsionit në radhët e anëtarëve të partisë së tij.

Po ashtu parashikohet që tensionet politike do të vazhdojnë t’i lënë të anashkaluara zhvillimet e tjera lidhur me politikat, dialogu me Serbinë mund të ngecet, ashtu si edhe ecuria e legjislacionit zgjedhor.

Artikulli paraprakFillon ndërtimi i xhamisë shqiptare në Grenchen të Zvicrës
Artikulli vijuesFH: Stagnimi në Shqipëri, pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë