Fjalimi i ndaluar i Albin Kurtit, në seancën e parë gjyqësore për protestën e opozitës së bashkuar në Kuvendin e Republikës
Kundërshtimi i aktakuzës
Të nderuar të pranishëm,
1. Prokurorja në aktakuzën e saj thotë se ne deputetët nuk paskemi pasur autorizim për ta përdorur gazin lotsjellës. Mirëpo, as kryeministri i Kosovës nuk ka pasur autorizim nga Kuvendi për të nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht ‘Zajednicën’ e Serbisë. Në anën tjetër, kur policia e përdor gazin lotsjellës e bën këtë duke besuar që dëmi që e shkakton me gazin lotsjellës është shumë më i vogël sesa dëmi që e parandalon e të cilin e shkaktojnë protestuesit. Kjo shpeshherë nuk është e vërtetë për policinë, por, se ne kishim të drejtë e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese së fundmi.
Kalkulimi ynë ishte i saktë: dëmet e gazit lotsjellës janë shumë më të vogla sesa shkelja e Kushtetutës së Kosovës në 23 nene të saj nga secili prej 7 kapitujve të ‘Zajednicës’. Më tutje, pse do të duhej që dikush të jetë i autorizuar për diçka, e sidomos për përdorim të armës? Autorizimi nënkupton që një personi të caktuar i është besuar kalkulimi racional i krahasimit të dy apo më shumë dëmeve. Ne si deputetë të Kuvendit të Republikës – pra, Kuvendi është i Republikës, nuk është Republika e Kuvendit apo e deputetëve dhe aq më pak e Qeverisë apo e ministrave – kemi qenë të autorizuar ta mbrojmë republikën dhe kushtetutën, dëmtimi i të cilave përmes ‘Zajednicës’ është shumë më i gjerë e më i thellë sesa ai i gazit lotsjellës. Në sallën plenare me tavan të lartë gati 10 metra, gazi lotsjellës davaritej për më pak 30 minuta. ‘Zajednica’ nuk do të na hiqej as për 30 vjet – le të mos harrojmë që Republika Serbe në Bosnje tashmë i kaloi 20 vjet dhe është më e fuqishme se asnjëherë më parë.
Të nderuar të pranishëm,
Duhet ta bëj një sqarim këtu: unë sigurisht se nuk jam i kënaqur me Kushtetutën aktuale të Kosovës, por unë sa herë të jetë e nevojshme i bëj rezistencë atyre që duan ta ndryshojnë për të keq këtë Kushtetutë, ndërkohë që vazhdimisht angazhohem që ta ndryshoj për të mirë. Ngjashëm sikurse para 26 vjetëve kur shumica e atyre që e mbronin autonominë e Kosovës nuk ishin të kënaqur me atë autonomi dhe dëshironin republikë e pavarësi e bashkim kombëtar, por ja që e mbronin atë autonomi sepse edhe ajo po suprimohej.
Le t’i kthehemi sërish aktakuzës kundër nesh. Prokurorja vetëm në kualifikimin e veprës penale e përmend ‘armën’, mirëpo aspak në arsyetim nuk e provon që bombola e gazit lotsjellës është ‘armë’. Arma përmban elementet përbërëse dhe ka mekanizmin e saj. Këto nuk i gjejmë te bombola e gazit lotsjellës. Mandej, çdo armë e ka municionin e vet: nëse bombola e gazit lotsjellës na qenka armë atëherë cili është municioni i asaj arme? E, me gjasë, gazi lotsjellës nuk është as municion tamam, sepse edhe municioni përbëhet prej disa pjesëve si kapsula, baroti, predha etj. Mirëpo, prokurores nuk i interesojnë këto hollësi dhe ajo fare nuk merr mundin të arsyetojë. Për mua kjo është dëshmi e tendencës persekutuese me çdo çmim e pa asnjë standard.
Nëse mendoni që dikush duhet të akuzohet për përdorim të armëve pa e pasur provën materiale të saj për të vërtetuar se me të vërtetë mjeti në fjalë është armë dhe se qëllimi kryesor i saj është kryerja e sulmit fizik dhe lëndimit trupor në kuptim të Kodit Penal, atëherë kjo prokurori publike, nuk është as prokurori dhe as publike, por polici private e kundërshtarëve tanë politikë.
Arma e gazit lotsjellës është ajo me tytë dhe presion e me të cilën policia hedh me qindra bombola me gaz lotsjellës në protestat tona, me ç’rast disa që nuk shpërthejnë na mbeten neve ‘dhuratë’ për t’i përdorur. Në seancat e Kuvendit unë kisha armë vetëm në kuptimin që vetë si deputet isha armë, pra disponoja me vetveten si armë kundër ‘Zajednicës’ në protestën tonë në Kuvend si aksion politik e publik. Pra, unë kisha armë vetëm sepse unë isha aty, duke përmbushur detyrën time sipas nenit 74 (Ushtrimi i Funksionit) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thotë me sa vijon: “Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.”
Në pretendimet kundër nesh ka edhe shpifje. Psh. mua askush asnjëherë nuk ma ka dhënë bombolën e gazit lotsjellës në Kuvend që ta ndez në sallën e Kuvendit. Atë e kam marrur unë vetë në protesta kur na i gjuante policia pa kursim. Në seancën e 8 tetorit 2015, deputetes Albulena Haxhiu i kam kërkuar që të më sjellë vezë të prishura dhe ajo këtë e ka bërë. Gazi lotsjellës ishte mjeti i fundit pas pipave, ujit dhe vezëve, të cilat nuk kryen punë. Gazi lotsjellës nuk është armë sepse nuk është menduar që të lëndojë dikë. Gazi lotsjellës ishte kundër atyre që po lëndonin Republikën dhe popullin e saj dhe vetë ai nuk lëndonte askë. Gazi lotsjellës synonte largimin e personave që duan të lëndojnë. Qeveria ka qenë e armatosur, sepse ‘Zajednica’ ishte arma e tyre kundër Republikës dhe Kushtetutës siç e vërtetoi edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq gazi ynë lotsjellës synonte t’i largonte nga salla e Kuvendit këta njerëz të armatosur e të rebeluar kundër Republikës.
Për më keq se kaq, prokurorja askund nuk jep shpjegim pse është përdorur gazi lotsjellës. Është e qartë se qëllim s’mund të ketë qenë lëndimi i ndokujt sepse unë dhe të gjithë ne vazhdonim të qëndronim në sallë pa maska edhe shumë kohë pas hedhjes së gazit lotsjellës. Vepra për të cilën ne akuzohemi nuk ka mundur të kryhet padashje, prandaj për ta gjykuar e dënuar atë duhet të ekzistojnë mens rea (qëllimi kriminal) dhe actus reus (veprimi kriminal). Në aktakuzë nuk gjenden këto, posaçërisht e para, pra mungon mens rea për shkak se qëllimi ishte politik dhe jo kriminal. Qëllimi ynë ishte pamundësimi i normalizimit të ‘Zajednicës’ së Serbisë. Për një shkelje të rëndë siç është ajo e Kushtetutës nëpërmjet ‘Zajednicës’ ne kemi përdorur forcë edhe më pak se proporcionale. Aksioni ynë politik ishte mbrojtje e personave të tretë, përkatësisht mbrojtje e shtetit republikan, e rendit kushtetues dhe e qytetarëve të Kosovës.
2. Sa i përket pikës së dytë të aktakuzës, pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, duhet të them që pikërisht ne si deputetë të opozitës ishim persona zyrtar duke respektuar detyrën tonë zyrtare. Qeveria dhe deputetët e pozitës ishin po ata njerëz të përveçëm sikurse para 25 gushtit të ‘Zajednicës’ mirëpo ata s’ishin më personat e njëjtë zyrtarë dhe as nuk po e kryenin detyrën e njëjtë zyrtare. Kur ndryshon Republika sepse i shtohet ‘Zajednica’ nuk mbetet i njëjtë as Kuvendi si punëdhënës i këtyre personave zyrtar.
‘Zajednica’ është një gjë e re para sistemit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve të tij. ‘Zajednica’ nuk ishte asnjëherë temë në fushatat zgjedhore dhe as çështje debati në Kuvend. Vetëm kur e pamë në televizion më 25 gusht 2015 se ajo është nënshkruar tashmë në Bruksel nga Mustafa me Vuçiqin. Pra, e kemi një njeri, qytetar republike që quhet Isa Mustafa, e i cili e vuri nënshkrimin për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër, ne i kemi mbi 205.000 nënshkrime të qytetarëve kundër asaj ‘Zajednice’ dhe kundër atij nënshkrimi të vetëm. Ne nuk mund të lejojmë që një nënshkrim t’i mposht 205.000 nënshkrime. Aksioni ynë ishte politik dhe publik. Kurrfarë procesi demokratik nuk i parapriu nënshkrimit në Bruksel – madje, më 25 gusht të vitit të kaluar Kuvendi ishte në pushim. Kur ne u kthyem në Kuvend, ne ishim të njëtit njerëz, mirëpo nuk ishim të njëjtit deputetë, sepse mandati ynë si deputetë ishte tjetërsuar: ne nuk ishim më deputetë të Republikës, por deputetë të asaj që mbetet nga Republika atëherë kur Republikës i shtohet ‘Zajednica’. Përveç peticionit, dhjetëra mijëra qytetarë kanë marrur pjesë në Prishtinë dhe shumë komuna tjera të Kosovës, në manifestime e protesta të ndryshme. Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë tubim me qytetarë nga qeveria për ‘Zajednicën’. Ama bash asnjë. Qeveria nuk është përpjekur që të arsyetojë ose justifikojë me qytetarët e për qytetarët nënshkrimin e saj.
Ne kemi qenë në Kuvend si persona zyrtar në detyrën tonë zyrtare, në kulmin e zbatimit të nenit 74 të Kushtetutës. Pa na e hequr Kuvendi me shumicë votash imunitetin, policia nuk është dashur të na hetojë e arrestojë, prokuroria të na akuzojë dhe gjykata të na gjykojë. Por, jo vetëm kaq. Deri te kjo ditë e shqyrtimit kryesor, procesi ka kaluar nëpër shkelje të shumta të të drejtave të njeriut të deputetëve dhe aktivistëve opozitarë. Lehtësia me të cilët policia na ndjek dhe arreston e mandej na rrah fizikisht dhe gjykatat na i japin nga 30 ditë paraburgim është e frikshme. Në rastin tim po i theksoj dy situata. Së pari, kidnapimin nga Policia e Kosovës natën e 12 tetorit 2015 për çfarë kam bërë Kallëzim Penal, mirëpo tash e gati tre muaj askush nga prokuroria nuk më ka kontaktuar. Së dyti, arrestimin nga forcat elitare anti-terror me 28 nëntor 2015, kur u thye selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë në një operacion që përbëhej nga qindra policë të cilët rrahën e arrestuan 97 aktivistë. Ne kemi bërë 80 kallëzime penale për dhunën policore, ndaj të cilave Policia e Kosovës reagoi menjëherë se ajo i paska 166 policë të lënduar në protestat e muajve të fundit, duke pranuar kështu hakmarrjen ndaj nesh me 28 nëntor. Po ashtu, edhe Amnesty International dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës kanë reaguar me komunikata zyrtare kundër kësaj ndërhyrjeje brutale.
Ne si deputetë nuk e kemi vënë në pikëpyetje ligjin si të tillë dhe as tërësinë e ligjeve në Republikën e Kosovës. Ne as që kemi menduar se cilat ligje po i shkelim me aksionin tonë politik sepse preokupimi ynë emergjent ka qenë Republika dhe Kushtetuta, demokracia dhe sovraniteti, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, që përbëjnë themelin dhe burimin, thelbin dhe kuptimin e ligjeve, të korpusit të ligjeve, të secilit ligj, madje përfshirë këtu edhe vetë ligjet të cilat prokurorja thotë t’i kemi shkelur.
Organi i ndjekjes, Prokuroria, qysh në fillim të aktakuzës së saj tregon dhe vërteton faktin se ne veprimet i kemi ndërmarrë në cilësi të deputetëve. Pra, në cilësi zyrtare nën mandatin përfaqësues. Kjo do të thotë se ne po përndjekemi në cilësinë e deputetit! Si mund të quhet kjo ndryshe përveçse persekutim politik?! Se ky rast është politik e vërtetojnë edhe dëshmitarët e propozuar të prokurorisë, ku që të gjithë i përkasin pozitës, pra pushtetit.
Nuk e di nëse Prokurorja e ka lexuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të vitit 2015. Nëse Prokurorja e mban të njëjtën aktakuzë kundër nesh edhe pas dijenisë për këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë me dashakeqësi të skajshme të prokurores ose me një botëkuptim autoritarist të saj. Për këtë të dytën do të flas më vonë gjatë këtij procesi.