Flota përbëhet nga pesë anije të vogla, në të cilat ndodhen 48 persona.
KRETË (AA) – Flota e përbërë nga disa organizata ndërkombëtare humanitare të quajtur “Flota 3-të e Lirisë”, e cila ka për qëllim thyerjen e bllokadës detare të Gazës dhe të ndihmojë banorët e saj, u nis nga ishulli grek i Kretës për në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).
Flota përbëhet nga pesë anije të vogla, në të cilat ndodhen 48 persona. Në anijen e cila i prinë flotës, të nisur një ditë më parë për në Gaza, ndodhet edhe ish-president i Tunizisë, Muhamed Munsif Al-Marzuki. Në varësi të motit, pritet që flota në Gaza të mbërrijë për dy apo katër ditë.
Në një nga anijet që përbëjnë flotën është edhe një gazetar i Anadolu Agency, i cili do të ndjek gjithë rrugën e flotës për në Gaza.
Flota përbëhet nga shoqatat ndërkombëtare në vijim: “European Campaign to End the Siege on Gaza”, “Freedom Flotilla Italia”, “Gaza’s Ark”, IHH, “International Committee for Breaking the Siege on Gaza” (ICBSG), “Rumbo a Gaza”, “Ship to Gaza-Greece”, “Ship to Gaza-Norway”, “Ship to Gaza-Sweden”.
Rikujtojmë se grupet ndërkombëtare që përbëjnë lidhjen e organizatave humanitare “Flota e Lirisë” nisjen drejt Gazës e kanë njoftuar vitin e kaluar.
Më parë flota “Mavi Marmara”, e cila përbëhej nga tetë anije, lundroi për në Gaza në vitin 2010. Edhe atëherë qëllimi ishte për të thyer bllokadën detare të Gazës dhe ofrimin e ndihmës për banorët e saj.
Forcat izraelite sulmuan flotën dhe me këtë rast u vranë dhjetë njerëz. Midis tyre ishin nëntë shtetas turq.
Bllokada detare e Izraelit është vendosur në vitin 2007, dhe përbën ndalim të zbarkimit të anijeve pa lejen paraprake nga Izraeli.