Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral-lejtënant Kadri Kastrati, pak ditë para përfundimit të mandatit në këtë post, ka vlerësuar se kjo forcë është në rrugë të sigurt drejt transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës.
Kastrati, i cili të premten është dekoruar nga presidentja me “Urdhrin e Pavarësisë”, në një intervistë dhënë “Epokës së re” ka thënë se ka qenë krenari për të që për tre vjet ta udhëheqë FSK-në, e cila gëzon besueshmëri dhe respekt edhe nga NATO-ja.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka treguar se çdoherë FSK-në e ka konsideruar Forcë të Armatosur. “Gjithmonë e kam konsideruar dhe e konsideroj FSK-në Forcë të Armatosur, e cila do t’i përmbushë detyrat dhe misionet e veta në çdo drejtim që kërkohet nga institucionet e Kosovës dhe populli i saj”, ka thënë Kastrati.
Ai ka thënë se FSK-në po e lë në gjendje të shkëlqyeshme dhe në duar të sigurta.
“Forcën e Sigurisë së Kosovës po e lë në gjendje të shkëlqyeshme, e cila është e gatshme plotësisht të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës jo vetëm për ta marrë atë emër, por është e gatshme edhe profesionalisht të marrë përgjegjësi të reja”, është shprehur Kastrati.
Duke folur për karrierën e tij ushtarake 39-vjeçare, Kastrati ka bërë me dije se vitet e arta të karrierës së tij kanë qenë prej fillimit të luftës çlirimtare deri më sot.
“Koha më e artë në karrierën time ka qenë periudha 17-vjeçare, 1998-2015, ku i kam shërbyer vendit dhe popullit tim. Pra, prej fillimit të luftës e deri më tani kur po e përmbyll karrierën, kam punuar në detyra të ndryshme”, ka treguar ai, duke shtuar se ndihet mirë që po del në pension me faqe të bardhë.
Porosia e tij për të gjithë ushtarakët është t’i shërbejnë vendit me nder.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe për një oficer ushtarak sesa ta përmbyllë karrierën me nder dhe faqebardhë. Tani unë e kam këtë ndjenjë. Në bisedat dhe takimet e ndryshme që kam pasur të premten i kam ftuar të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e FSK-së, të punojnë dhe të shkojnë drejt arritjes së qëllimeve, gjithnjë duke e ruajtur institucionin, emrin, nderin dhe krenarin që kanë. Ushtaraku çdoherë duhet të jetë shembull për pjesën tjetër të shoqërisë”, ka thënë Kastrati. /Epoka e Re/