Në Detin Mesdhe është përmbytur një anije me migrantë të cilët tentuan që nga Afrika të kalojnë në Itali, ndërsa sipas informacioneve të para, në fundosjen e anijes jetën e kanë humbur mes 20-30 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia italiane e lajmeve ANSA raportoi se fatkeqësia ndodhi në kanalin siçilian, 35 milje nga brigjet libiane kur anija me rreth 100 migrantë u përmbyt në det.
Ekipet patrulluese ajore të misionit EUNAVFOR MED vërejtën tragjedinë, ndërsa më pas migrantëve në ndihmë u erdhën ekipet e shpëtimit. Sipas informacioneve të para nga terreni, ekipet e shpëtimit nga deti nxorrën kufomat e rreth 20 dhe 30 migrantëve të vdekur.
Paralelisht me këtë, në portin e qytetit siçilian Messina, me varka janë sjellë 493 migrantë të cilët ekipet e shpëtimit dje i shpëtuan në Detin Mesdhe.
Migrantët, të cilët dje i shpëtoi një anije e flotës britanike Enterprise, kryesisht janë me origjinë nga rajoni sub-saharian.