GARA PËR INDEKS

Mbi tre mijë e shtatëqind kandidatë i janë nënshtruar provimit pranues në Fakultetin Ekonomik. Derisa, studentet dhe menaxhmenti i këtij fakulteti thonë se i gjithë procesi ka përfunduar pa problem, kurse organizatat studentore thonë se për 460 indeksa të ri, provimit pranues i janë nënshtruan edhe mijëra maturantë në Fakultetin e Mjekësisë.

Ka vazhduar provimi pranues për kandidatët që duan të studiojnë në Universitetin e Prishtinës, konkretisht në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Mjekësisë, megjithatë edhe sot nëpër oborret e këtyre fakulteteve nuk munguan ofertat e kolegjeve private.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti i ka thënë KosovaPress-it se sivjet në këtë fakultet kanë konkurruar mbi 3700 kandidatë për 2200 vende, prej tyre 1700 në Prishtinë dhe 500 në Gjilan si të rregullt dhe me korrespodencë.

“ Në përgjithësi ka shkuar shumë mirë, nuk ka pas problem, raste shumë të vogla, individuale të cilat nuk qojnë peshë në procesin e tërësishëm të mbajtjes së provimit pranues. Në përgjithësi jemi të kënaqur, në fund të fundit ne me vite të tëra veç e kemi perfeksionuar këtë proces”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka pohuar se provimi ka kaluar në tri turne dhe provimi është organizuar nëpër salla ku është organizuar dhe monitoruar nga dy profesorë dhe një student.

“Kopjim nuk mund të ketë sepse ne përpilojmë numër të madh të testeve dhe distance në mes të njëjtit test është shumë e madhe por ka tendenca për falsifikim të letërnjoftimit ose të futjes së dikujt tjetër në vend të kandidatit. Janë raste minimale. Ne kemi pas sot tri raste të tilla, i kemi identifikuar dhe testi i tyre anulohet ndërsa ndaj personit duhet të fillohet procedurë përmes policisë”, ka thënë Ahmeti.

Ai sqaron se leximin e testeve dhe rezultatet i bëjnë përmes lexuesit optik dhe rezultati do të shpallet më 3 gusht, kurse një ditë më vonë, kandidatët që nuk e kanë kaluar provimin do të kenë mundësi të ankohen.

Në anën tjetër, kandidatët që i janë nënshtruar provimit pranues thonë se i gjithë provimi ka kaluar pa problem.

Fluturim Rexha ka thënë për KosovaPress se hapësira ku kanë mbajt provimin ka qenë e mirë por gjithashtu edhe testi nuk ka qenë i lehtë.

“Pyetjet nuk kanë qenë të vështira dhe kanë qenë kryesisht nga ato që mësojmë në shkollën e mesme dhe fillore, matematikë dhe të gjitha nga ato që kemi mësuar”, ka thënë ai.

Shpresim Kuqi thonë se nuk ka vërejtur që është bërë ndonjë manipulim gjatë testit, në grupin e dytë pasi që mendon se monitorimi ka qenë i rreptë.

“Nuk kanë qenë shumë të vështira. Ka qenë testi i lehtë për ata që kanë mësuar, me rëndësi ishalla kemi sukses të gjithë”.

Kurse, Adelina Rracaj ka thënë se ka qenë test i lehtë për ata që mësojnë .

“Jo me manipuluar neve nuk na lanë dhe mirë shumë ka qenë”, ka thënë ajo.

E organizata Paqja Studentore, nëpërmjet një komunikate, ka thënë se gjatë mbajtjes së provimit pranues në UP , përveç problemeve teknike, si vonesa në fillimin e mbajtjes së provimit për shkak të konkurrencës së madhe të kandidatëve, të cilët duan të marrin indexin e UP-së, janë shënuar një varg keqpërdorimesh tjera, me theks të veçantë në Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin Filozofik (Shkenca Politike, Psikologji, Sociologji, Histori etj).

“Sipas burimeve brenda këtyre fakulteteve, rreth një orë para fillimit të provimit pranues janë nxjerrë testet nga strukturat studentore të cilat operojnë në rolin e këshillit studentorë me të drejtë vëzhgimi gjatë procesit të mbajtjes së provimit pranues. Këta student ju kanë shpërndarë përgjigjet e testeve kandidatëve të tyre familjar duke mos e përjashtuar edhe shitjen e këtyre përgjigjeve me shuma të majme parash”, thuhet në komunikatë.

Këtyre parregullsive, sipas Paqes Studentore, i kanë kontribuar edhe dekanët dhe strukturat tjera nga stafi akademik të përfshira në organizimin dhe mbarëvajtjen e provimit pranues në një formë apo tjetër.

Universiteti i Prishtinës këtë vit akademik do të pranojë 9221 student të rinj prej tyre 8011 të rregullt, 1210 korrespodencë, 323 nga Presheva, Bujanoci, Medvegja, Shqipëria e Mali i Zi dhe 294 minoritete.

Artikulli paraprakRRITEN VIZITAT E GOOGLE+
Artikulli vijues“THËRRET RUSIA, NUK DO TË ANËTARËSOHEMI NË NATO”