Gati caqet për sulm kundër Sirisë?

Gazeta e njohur britanike, The Sunday Times, shkruan se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë gati për sulm raketor ndaj Sirisë, si kundërpërgjigje ndaj pohimeve se ushtria e Bashar al-Assadit ka përdorur helme kimike kundër popullatës civile. Sipas kësaj gazete, Britania dhe SHBA-të do të sulmojnë, nëse hetuesit e OKB-së vërtetojnë se regjimi ka përdorur këto helme.
“Derisa dalëngadalë po del e vërteta se regjimi i Assadit qëndron prapa sulmeve të fundit me armë kimike, planifikuesit ushtarakë britanikë dhe amerikanë kanë përcaktuar tashmë objektivat për sulme me raketa në Siri”, shkruan gazeta, duke shtuar se kryeministri britanik David Cameron dhe presidenti amerikan Barack Obama kanë biseduar tashmë për këtë çështje.

“Të dy udhëheqësit nuk kanë marrë vendim përfundimtar në lidhje me sulmin, por zyrtarët ushtarakë kanë përpiluar një listë ku mund të bëhen sulmet me raketa”.

Ditorja britanike përkujton se Britania po analizon edhe disa opsione tjera sulmi, porse si opsion më i mundshëm është ai me raketa.

“Opsionet tjera janë armatosja e kryengritësve dhe shpallja e zonës së ndaluar të fluturimit. Por, tani më seriozisht diskutohet sulmi me raketa kundër regjimit të Asadit që do të zgjaste midis 24 dhe 48 orëve dhe që do të synonte lokacione të caktuara strategjike”, shkruan The Sunday Times. /TG

Artikulli paraprakGuneim e përgjegjëson Ali Xhuma-n me fetvanë e tij, për gjakun që rrodhi në Egjipt
Artikulli vijues“Mjekët pa Kufij”: 3,600 sirianë të mjekuar nga armët kimike