“Mjekët pa Kufij”: 3,600 sirianë të mjekuar nga armët kimike

Organizata “Mjekët pa Kufij” thotë se 3600 vetë në Siri janë mjekuar për simptoma të ngjashme me pasojat e një sulmi kimik. Organizata thotë se 355 vetë kanë gjetur vdekjen.

Komandanti i Ushtrisë për Sirinë e Lirë, Selim Idriss, tha se qeveria e ndërmori sulmin ndaj lagjeve periferike të kontrolluara nga kryengritësit në kundërpërgjigje për një tentativë për atentat ndaj presidentit Bashar al-Assad në fund të Ramazanit.

Komandanti i kryengritësve thotë se presidenti sirian Assad u takua me shefat e tij të sigurisë për të planifikuar një goditje me raketa pas sulmit të ndërmarrë ndaj autokolonës së presidentit më 18 gusht. Ai pretendon se një nga gjeneralët e lartë të presidentit u plagos nga ai sulm.

Idris shprehet se Assad kishte dhënë urdhër për një plan për sulm me armë kimike ndaj lagjeve periferike në lindje të Damaskut, pasi personat që kishin planifikuar atentatin kundër tij jetonin në atë zonë. Ai shton se ka prova të padiskutueshme se qeveria ishte autore e sulmit.

Ai përmend dy emra zyrtarësh të qeverisë që kishin hartuar planin, duke shtuar se sulmi ishte ndërmarrë nga aeroporti Mazeh që kontrollohet nga qeveria. Ai shton se qeveritë e huaja kanë prova të padiskutueshme mbi autorët që kryen sulmin, falë fotografive satelitore. 

Artikulli paraprakGati caqet për sulm kundër Sirisë?
Artikulli vijuesBIK: Deklaratë për opinion