Blic në fakt nuk është një tabloid krejt bulevardesk, por që rregullisht përdor burime rilevante për të justifikuar titujt bombastikë.
Në shkrimin e ballinës së sotme, kjo gazetë thekson, “Putin do të njohë Kosovën, si një shërbim ndaj Trump”, në mënyrë që të nisë era e re e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Duke cituar specialistë të diplomacisë ruse dhe serbe, Blic thekson se do të ketë një këmbim të territoreve me Krimenë.
Ndërkaq, gazeta serbe i referohet edhe një interviste të Putin që në shtator, kur ai fliste për njohjen e Kosovës.
Putin, në këtë intervistë tha se Perëndimi nuk po e njeh vullnetin e popullit në Krime, ku sipas tij 70% dëshirojnë bashkimin me Rusinë, e në anën tjetër në Kosovë e bën të kundërtën.
Gazeta serbe këto fjalë të Putinit i sheh si shqetësim të Rusisë për Serbinë.
“Asgjë nuk mund të bëhet kundër vullnetit të popullit. Disa nga partnerët tanë nuk po shihet se po e kuptojnë”, deklaroi në atë kohë Putin në një intervistë për Bloomberg.
“Ata thjeshtë nuk po duan të shohin. Dhe në një vend tjetër, Kosovë, shihni si e përdorin vullnetin e popullit. Kjo e gjitha është lojë politike”, tha Putin.
Ndërkaq, një prej eksperteve më të njohura britanike dhe komentatore në Rusi e ka paralajmëruar njohjen e Kosovës disa ditë më parë.
Ajo e sheh si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë në mes të Uashingtonit dhe Moskës, pasi Donald Trump mori postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Kolumnistja e “Guardian” ka paraqitur këtë ide në gazetën “Tablet”, duke theksuar për pasojat e mundshme të një takimi të suksesshëm mes Trump dhe Putin në të ardhmen e afërt. Trump ka shprehur në mënyrë të përsëritur dëshirën e tij për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin menjëherë pas inaugurimit të tij.
Meri Dejevski, e cila takohet rregullisht me udhëheqësit e Kremlinit, përmes grupit “Valdai”, tha se se Moska mund ta njohë Kosovën si pjesë e një marrëveshjeje-paketë, qëllimi i së cilës ishte mbyllja e problemeve të ndryshme post-Luftës së diplomacisë së ftohtë që kishin prishur marrëdhëniet ndërmjet forcave.
Rusia, deri tani ka qenë kundër njohjes së Kosovës.
Shumica e vendeve perëndimore, duke filluar nga SHBA, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por Serbia, Rusia, Kina, dhe pesë shtetet anëtare të BE dhe shumë vende të tjera nuk e kanë njohur.
Një total prej rreth 113 prej 193 shteteve anëtare të OKB tani e njohin pavarësinë e Kosovës. /tesheshi.