Gazetarja Farie Bakiu, një ish-“etheiste e së premtes” sot e mbuluar: e dua ekranin, por jo pa besim!

Nuk dihet nëse ka të tilla në ndonjë nga shtetet e rajonit, ndërkohë që Farije Bakiu sqaron se është gazetarja e parë e mbuluar në Maqedoni, e cila punon në teren. Atë që i është dashur me vite ta ndërtojë në aspektin profesional si spikere dhe prezentuese emisionesh, pikërisht në majë të suksesit, pa u hamendur fare një ditë prej ditësh gazetarja Farije Bakiu, vendosi që ta sakrifikojë për Zotin, besimin e saj, duke hequr dorë nga fama, pasi vendosi të mbulohet. Ajo tani i mungon ekraneve televizive, ashtu siç ishim mësuar ta shohim në çdo edicion të lajmeve, mirëpo ende me shumë pasion dhe pa asnjë kompleks nga mbulesa e saj vazhdon të ushtrojë profesionin e gazetares në terren. Në një intervistë për portalin tesheshi.com, ajo rrëfen eksperiencën e saj të veçantë…

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Një prezantuese, model i gazetarisë, spikere shembullore e lajmeve ditore, e dashuruar me profesionin, dhe për nje moment vendose t’i mungosh ekraneve televizive. Pse?

Më është dashur gjysma e jetës time që ta ndërtoj veten në profesionin që ushtroj. Gati 15 vite jam marrë me gazetari dhe prezantim, kam punuar nëpër TV lokale prej në shkollën e mesme, gjatë studimeve  dhe pasi kam kryer studimet në UEJL-Fakultetin e Shkencave dhe Teknologjitë e Komunikimit, u punësova për një periudhë të shkurtër si prezantuese e lajmeve në ALSAT-M, pastaj në TV ALB dhe tani plotë 8 vite jam në TVM2, ku për katër vite kam prezantuar edicionin e lajmeve. Prezantimi i lajmeve ishte dhe do të mbetet pasioni im. Të heqësh dorë nga profesioni të cilin e bën me shumë pasion dhe për të cilin të janë dashur vite për t`u ndërtuar dhe mu në majë të suksesit, atëherë kur të gjithë kthejnë shikimin dhe veshët (vëmendjen) kah ti, të heqësh dorë, nuk është edhe aq e lehtë. Unë vendosa të mbulohem pikërisht atëherë kur filluan të më njohin të gjithë dhe të më hapeshin dyert e suksesit, atëherë kur ndihesha më e sigurtë në punën që e bëja dhe plot vetëbesim. Këtu duhet të zgjidhja ose mbulesën ose famën. Pavarësisht sfidave që u përballa në ndërtimin e karrierës, unë zgjodha mbulesën..! Ishte e vështirë të merrje një vendim të tille, por natyrisht, unë besoj fort në shpërblimin e Zotit, për të cilin vendosa ta bëj. Pastaj të thuash që besoj dhe të mos bësh asgjë për Atë, është kontradiktore. “Nuk ka adhurim pa sakrificë”. Prandaj unë asnjë moment të vetëm nuk jam penduar, sepse kjo “sakrificë” është e vogël për Krijuesin, burimin e të gjitha të mirave që posedojmë dhe që druajmë t’i flijojmë për Atë.

Thua kjo që ke bërë është e paktë për Zotin, megjithatë mund të quhet sakrificë e madhe braktisja e asaj që ke ndërtuar ndër vite, andaj na thoni nëse keni lërë anash absolutisht gazetarinë apo vetëm rolin e prezntueses dhe spikeres?

Nuk është se unë i lashë anash, por rrezikoja t’i humbja të gjitha, sepse askush nuk do të pranonte në TVM një vajzë me mbulesë, pavarësisht aftësive profesionale. Po të mos kisha vendim pune, sigurisht do të isha pushuar nga puna. Ka pasur tentime për të më transferuar në radio por kjo nuk ndodhi. Po të më kishin larguar, ligjërisht unë fitoja, duke u rikthyer përsëri në vendin e punës, prandaj një tentativë e tillë do të ishte e dështuar. Aktualisht punoj si gazetare.

Me sa jemi të njoftuar, për publikun nuk ke qenë e njohur vetëm si gazetare, por edhe si këngëtare. Po tani vazhdon të këndosh, pse jo ilahi?

Në vitin 2004 kam qenë pjesëmarrëse në spektaklin “Ethet e të premtes” (edicionin e tretë), arrita të hyja deri ne finale, por asnjëhërë nuk kam pretenduar të përfundoj si këngëtare sepse gjithmonë kam dashur një jetë më të thjeshtë, duke pasur prioritet familjen. Nuk njihem si këngëtare në përmasa të gjëra por vetëm në nivel lokal, në vendlindjen time në Kërçovë, atje ku kam zhvilluar aktivitetet nëpër manifesime të ndryshme ditëve të shënuara.  Por nuk pretendoj të këndoj qoftë edhe ilahije sepse të prekësh në të gjitha dhuntitë që t’i ka falur Zoti, asnjërën nuk e përvetëson si duhet.

Si e pritën familja dhe shoqëria sakrificën tuaj që të mbulohesh? Kishte komente të tipit ” Si ashtu po e lë karrierën”, “do pendohesh” etj.?

Unë vij prej një familje arsimdashëse por edhe besimtare, u rrita duke e parë babain tim se si falej 5 herë në ditë, u rrita me frikën dhe dashurinë ndaj Krijuesit, prandaj për familjen time ky ishte një hap i guximshëm që meritonte respekt. Ehh, sa për shoqërinë faliminderit Zotit që arrita t’i njoh miqtë e vërtëtë. Ato që tek unë kanë vlerësuar shpirtin dhe karakterin tim gjithmonë më kanë qëndruar afër, por shumica e njerëzve filluan të distancohen nga unë. Distancimi i tyre fare nuk më brengos, përkundrazi vlerësoj se është më e dobishme për mua, ”pastroj rrethin”. Ka njerëz që kur shohin se ke arritur, të ngjiten si mizat pas për të përfituar nga autoriteti yt, në momentin që ti heq dorë nga kjo, ata druajnë të të flasin. Nuk i fajësoj edhe aq sepse media e bën të veten me propagandat kundër Islamit, duke e praqitur Islamin si fe të dhunës dhe muslimanët si terrorristë. Media është pushteti i katërt, pas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqit dhe ka influencë të madhe në psikologjinë  e masës, duke i dirigjuar edhe bindjet e tyre. Kam miq të cilët ndjejnë keqardhje për mua, apo më shohin me sy kritik. Kam pasur komente të tipit “ Po pse moj Farije, ti ishe një vajzë shumë normale”, apo “Do pendohesh për vendimin që ke marrë” etj etj. Çuditërisht,  nëse në sytë e tyre ke qenë një njeri i ngritur, për një moment ti bëhesh një femër e prapambetur. Por ka edhe nga ata që e vlerësojnë shumë këtë hap duke shrehur respekt të dyfishtë.

Meqë gazetaria televizive është e orientuar më shumë në ngjarje të terrenit, a ke pasur ndonjëherë problem që të ndiqni ngjarjet me mbulesë në ndonjë nga institucionet shtetërore?

Në fillim sikur më kursenin nga ngjarjet e këtilla, më duhej të merresha vetëm me BFI-në apo me inaugurimin e ndonjë xhamie, por më vonë rrethi filluan të adaptohen me mua, gradualisht filluan të mësohen me pamjen time. Tani pa asnjë problem i ndjek ngjarjet ditore të të gjitha profileve. Kam pasur momente  të sikletshme kur kam kryer detyrën, p.sh. një herë në “Aleksandër Pallas”, më duhej të ndiqja një ngjarje dhe rojet e sigurimit i pranuan të gjithë gazetarët brenda, ndërsa mua më kërkuan të dal jashtë….Qesha dhe u thashë që jam gazetare, por ata nuk besuan deri sa e nxorra bexhin e punës.

Si ja bëni për t`u falur gjatë kohës që jeni në punë?

TVM-ja posedon hapsira të mëdha, të cilat shfrytëzohen vetëm një herë në javë për xhirimet e emisioneve në studio. Nuk ka hapësirë të posaçme për të kryer këtë ritual (namazin), prandaj unë i shfrytëzoj studiot për të kryer këtë obligimin  dhe nuk më paraqet fare problem, sepse nuk të merr as 10 minuta nga koha e punës .

Ajeti parë kur`anor ishte “Ikre” – lexo, mëso, studio në emër të Zotit. E praktikoni edhe ju një gjë të tillë, pra jeni lexuese e rregullt?

“Ikre” nuk nënkupton të lexosh vetëm literaturë fetare, por që nëpërmjet kësaj fjale të kërkojmë të vërtetën absolute, dijen mbi të.  Të studiosh dhe të lexosh nga të gjitha fushat shkencore, ky është edhe mesazhi i këtij ajeti kur’anor. Lexoj gjithçka. Libri i fundit që kam lexuar është “Sundimtari” i Nikolla Makiavelit dhe për momentin jam duke lexuar “Islami në qendër të vëmendjes”, transkripte të tribunave dhe debateve të Dr.Zakir Naik, që unë do ta quaj me plotë gojë “ dijetari i kohës”, në ligjëratat e të cilit kam gjetur shumë përgjigje të pyetjeve që më kanë munduar.  Përpiqem të jem e përgatitur sepse ka njerëz që parashtrojnë pyetje nga më të ndryshmet rreth Islamit dhe duhet të qëndrosh e gatshme t`u përgjigjesh se përse ke zgjedhur pikërisht këtë rrugë.

Një mesazh për gratë, nënat…

Gratë janë edukatoret e një populli, ato e përkundin djepin e të ardhmes së një vendi. Jo rastësishtë në një fjalim presidenti i SHBA-së, Barak Obama, tha:  ”Për ta kuptuar se sa i zhvilluar është një vend, shikoni sa të arsimuara janë gratë”. Çdo femër muslimane, sidomos ajo me mbulesë duhet të jetë shembull për të gjithë, ajo ka përgjegjësi të madhe për mbulesën që bart; kjo nuk nënkupton se ajo nuk bën gabime, sepse njeriu si i tillë, është krijuar gabimtarë, por gjithmonë duhet të jetë në përpjekje për t’i redaktuar ato (gabimet), sepse ajo është shembull për femijët e saj, për rrethin ku jeton dhe mbi të gjitha, ajo  është model për ato që nuk e njohin Islamin. Prandaj nuk mjafton vetëm të dijmë por duhet ta jetësojmë atë që e dijmë, diturinë e dobishme kuptohet. Ato që lexojnë nuk e kanë të vështirë t’i shoshitin gjërat në sitën e së vërtetës. Kjo është arritja më e madhe jetësore dhe misioni i çdo njeriu..!/tesheshi.com/

Artikulli paraprakVetëvendosje: Tani demonstrata mbarëpopullore deri në rrëzimin e Isa Mustafës
Artikulli vijuesVIDEO – E humbi rrugën në shkretirë (ngjarje e vërtetë)