Georgievski: Maqedonasit t’i kërkojnë falje Kosovës

Ish-kryeministri maqedonas, Lupco Georgievski, që drejtonte qeverinë gjatë konfliktit të vitit 2001, ka bërë thirrje që të tërhiqet nga procedura parlamentare ligji i VMRO-DPMNE-së, “branitellat”, i cili parasheh të drejta të posaçme vetëm për forcat maqedonase të sigurisë që morën pjesë në konflikt. Ai vlerëson se ky projektligj mund të çojë Maqedoninë drejtë një situate të ngjashme me atë të vitit 2001.

“Kjo sjellje e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së është shumë lojë e rrezikshme. Ajo që sot ndodh me këtë ligj mund ta çojë Maqedoninë drejtë një situate totalisht të padëshiruar. Prandaj, apeloj tek VMRO –DPMNE-ja, ose ta tërheqë projektligjin për forcat maqedonase, ose të gjejë një zgjidhje bashkë me BDI-në që do të përfshijë të dy palët që morën pjesë në konfliktin e vitit 2001”, deklaroi Georgievski.

Gjatë një debati të organizuar nga lëvizja qytetare “PYKA”, Georgievski ka folur edhe për ndikimin historik të Beogradit në politikën e Shkupit. Ai madje tha se Maqedonia duhet t’i kërkojë falje Kosovës për dhunën që kanë ushtruar policët maqedonas në demostratat e studentëve shqiptarë të vitit 1981 në Prishtinë.

“Gjatë demonstratave në Kosovë, forcat kryesore policore që shkuan atje për t’u ballafaquar me demonstruesit ishin forcat policore maqedonase. Dhe këtë shqiptarët e Kosovës ende e mbajnë mend. Andaj, mendoj se do të ishte në rregull që maqedonasit t’u kërkojnë falje kosovarëve, pasi ishin bërë instrument i interesave serbe në Jugosllavi”, vijoi ish-kryeministri, transmeton “albeu”.

Në këtë debat ku morën pjesë shumë analistë, diplomatë dhe ish politikan u tha se pushteti në Shkup është i përfshirë në afera korruptive, ndërsa integrimi i vendit nuk është prioritet i qeverisë. /Tg/kohaislame

Artikulli paraprakSerbia operon në Kosovë me afro 1.000 efektivë sigurie
Artikulli vijuesIzraeli fillon mobilizimin e 16000 rezervistëve