Gërxhaliu: Viti 2014 ka qenë një vit i dështuar ekonomikisht

0
191

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot gjatë ditës ka thënë se për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, duhet bërë shumë punë dhe nevojitet përkrahja e të gjithëve.

Duke komentuar deklaratat e Mustafës, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë së zhvillim ekonomik të mirëfilltë mund të ketë vetëm atëherë kur ka sundim të ligjit dhe kur ekonomia është prioritet mbi prioritete.

“Pa një partneritet dhe një dialog të mirëfilltë është e pamundur të hartohen politika, të cilat do të jenë në funksion të procesit. Dua të besoj se orientimi drejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe orientimi drejt sektorit privat dhe, në veçanti, drejt sektorit prodhues, janë garanci, që do të gjenerojë stabilitet social”, vlerëson Gërxhaliu.
 
Edhe Gërxhaliu mendon se gjërat në drejtim të zhvillimit ekonomik mund të ndryshojnë nëse ka një koordinim ndërmjet politikë-bërësve dhe përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë.
 
“Bashkëpunimi duhet të jetë i orientuar në dy aspektet; në aspektin intern dhe ekstern. Në aspektin intern, duhet që të gjithë aktorët relevantë vendorë të jenë të fokusuar në procese zhvillimore ekonomike”.
 
“Por, nuk mund të kemi partneritet dhe dialog konstruktiv ekstern nëse nuk do ta avancojmë partneritetin intern. Prandaj, dua të besoj që është në interes të të gjithëve zhvillimi ekonomik, se vetëm përmes zhvillimit ekonomik mund të arrijnë ato synimet që i ka shteti i pavarur, Kosova”, shton Gërxhaliu.
 
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës konsideron se viti 2014 ka qenë një vit i dështuar në aspektin ekonomik dhe pasojat, sipas tij, janë bartur edhe në vitin 2015.
 
Rrjedhimisht, thotë Gërxhaliu, është e vështirë që në një periudhë të shkurtër të priten hapa pozitivë në drejtim të përmirësimeve në aspektin ekonomik.kohaislame